Select Page

“Vetëm tek Ai është dituria për Orën e Kijametit.” – Ky ajet na mëson rreth diturisë së gjerë të Allahut të Madhërishëm. Ai është i vetmi që di të fshehtat, siç është, për shembull, koha kur do të ndodhë Kijameti. Të gjitha krijesat, kur flasin për Kijametin, nuk mund të japin kohën e tij, por thonë se atë e di veç Zoti. As profetët, as melekët dhe askush tjetër nuk di gjë për këtë ngjarje të madhe.

“Asnjë fryt nuk del prej lëvozhgës së vet …” – Allahu i Lartësuar di për çdo fryt që del nga sythi, nga çdo lloj bime që Ai ka krijuar. Dituria e Tij rreth çdo gjëje është e plotë dhe e imtësishme.

– “… dhe asnjë femër nuk mbetet shtatzanë e as nuk lind pa dijen e Tij.” – Çdo kafshë e çdo krijesë që bart është në diturinë e Zotit. Qoftë mbarsja, qoftë lindja e krijesave ndodh me dijen e Zotit. Ai di në imtësi për të dhe për gjithçka tjetër në dynja dhe ahiret. Atëherë, si është e mundur që idhujtarët përzgjedhin zota të tjerë, për t’i barazuar me Allahun e Gjithëditur e të Gjithfuqishëm?!

Si munden të barazojnë idhujt pa dije dhe të verbër, me Allahun e Lartësuar, që di dhe sheh gjithçka? Për ta shfaqur qartë refuzimin e padrejtë të idhujtarëve ndaj të vërtetës dhe për të treguar dëshpërimin e tyre Ditën e Kijametit, Allahu i Lartësuar thotë:

“Ditën, kur Ai t’i thërrasë njerëzit e t’u thotë: “Ku janë ata që i konsideronit si ortakët e Mi?”,” – Kuptimi: Ku janë idhujt tuaj, për të cilët pretendonit se janë ortakët e Allahut? Ku janë ata të cilët i adhuronit, madje prej tyre ju u kundërviheshit edhe profetëve!

– “… ata do thonë: “Ne të kemi njohur vetëm Ty, e nuk ka ndonjë që dëshmon se ke shok.” ” –  Ata do thonë: Ne tashmë të pranojmë vetëm Ty. Askush prej nesh nuk beson më në “hyjninë” e atyre idhujve të kotë. Ne e mohojmë adhurimin tonë “të kotë”, që ua përkushtonim idhujve, dhe distancohemi nga ky krim.