Select Page

Allahu i Madhëruar na tregon rreth ndodhive dhe skenave të tmerrshme të Ditës së Gjykimit:

– “Një Ditë Ne do t’i shkulim malet dhe do ta shohësh Tokën të sheshtë (e të shkretë) dhe Ne do t’i tubojmë të gjithë, pa lënë askënd pas.” – Allahu do t’i shkulë malet nga vendi dhe do t’i bëjë si lesh i shprishur, që shpërndahet në ajër. Toka do të bëhet e sheshtë, e lëmuar, pa gropa apo male. Atëherë, Zoti do t’i ringjallë e do t’i nxjerrë sipër tokës të gjitha krijesat.

Ai ka për t’i mbledhur të parët dhe të fundit. Do t’i nxjerrë nga barku i tokës apo shkretëtirave të humbura, nga fund i oqeaneve dhe skutat më të errëta. Do t’i bashkojë trupat e tretur pasi të jenë përhapur dhe zhdukur nëpër tokë. Ai do t’i rikrijojë, duke bashkuar çdo pjesë të tyre në një krijim të ri.