– “Ne e ngritëm qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë.” – Është Allahu i Lartësuar Ai që e krijoi qiellin me përpikmëri dhe përkujdeset për të dhe për gjithë krijimin e Tij. Ai e bëri qiellin si çati mbrojtëse për Tokën dhe gjithçka në të. Ai e krijoi gjithë këtë madhështi me forcën dhe pushtetin e Tij të pakufishëm. Është po Allahu që i zgjeron skajet dhe anët e qiejve. Allahu zgjeron, gjithashtu, edhe gjendjen e robërve të Tij, duke i furnizuar.
Nuk ka kafshë të fshehur në tokë, në thellësi të oqeanit apo në lartësitë e qiejve dhe të tokës, që Zoti të mos përkujdeset për të, duke i mundësuar gjithçka që i nevojitet. I Lartësuar dhe larg çdo të mete është Ai, që ka përfshirë me mirësinë dhe begatitë e Tij çdo krijesë. Të pafundme janë begatitë e Allahut, mëshira e të Cilit ka përfshirë të gjitha krijesat.