– “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota dhe për të penguar të tjerët nga rruga e Allahut!” – Ky ishte qëllimi i mushrikëve, kur u nisën për luftë: të mburreshin e të lëvdoheshin në sytë e njerëzve. Megjithatë, qëllimi i tyre më i madh ishte pengimi nga rruga e Allahut i çdokujt që kërkonte udhëzimin e drejtë dhe nënshtrimin sipas asaj rruge.
– “Allahu mbikëqyr gjithçka që bëjnë ata.” – Allahu i mbikëqyr ata, prandaj ju njoftoi për qëllimet e tyre të liga dhe ju porositi që të mos u përngjasoni atyre. Ky qe paralajmërim se ata do të merrnin ndëshkimin më të rëndë. Ndërsa ju dilni në luftë thjesht dhe vetëm për kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe për lartësimin e fesë së Tij. Luftoni për të shkatërruar çdo rrugë të devijuar, që shkakton zemërimin e Allahut të Madhëruar dhe ndëshkimin e Tij. Luftoni për të ftuar dhe afruar njerëzit në udhën e drejtë të Zotit, e vetmja që të shpie në Xhenetin e mirësisë dhe bujarisë së Tij.