– ”Kurrsesi mos mendo se Allahu nuk do ta mbante premtimin që u dha të dërguarve të Tij.” – Allahu i Lartësuar ka premtuar se do t’i shpëtojë e dhurojë fitore profetëve dhe pasuesve të denjë të tyre. Ai do t’u dhurojë atyre lumturi në këtë jetë dhe në tjetrën. Nga ana tjetër, Ai ka dhënë fjalën se do t’i shkatërrojë armiqtë e profetëve dhe të së vërtetës me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në ahiret. Kështu, kurrë mos mendoni se Allahu do ta shkelë premtimin e Tij.
Ai do të realizohet patjetër, sepse është fjala e vërtetë e Zotit, e sjellë përmes profetëve, besnikëve më të zgjedhur mes krijesave të Tij. Kjo është grada më e lartë e saktësisë dhe vërtetësisë së lajmit. Gjithashtu, kjo është në përputhje të plotë me urtësinë e Krijuesit dhe rregullat e krijimit të Tij. Kjo përputhet, po ashtu, edhe me logjikën e saktë dhe të shëndetshme, që e do drejtësinë. Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë. sepse:
– ”Allahu është Ngadhënjimtar dhe ka ndëshkim të ashpër. …” – Nëse Allahu i Lartësuar dëshiron të ndëshkojë dikë, ai person kurrsesi nuk mund t’i shpëtojë dhe nuk mund t’i fshihet Allahut dhe dhënies së llogarisë në Ditën e Gjykimit.