Select Page

– “Kështu, shkoni e i thoni atij: “Ne jemi të dërguar të Zotit tënd. Lëri bijtë e Israelit të vijnë me ne dhe mos i mundo!” – Shkoni tek Faraoni me dy misione: së pari, ta ftoni për të pranuar Islamin dhe, së dyti, të lejojë popullin e Izraelit të largohet dhe të shpëtojë nga vuajtjet e torturat. Lejoi ata të zgjedhin atë që duan dhe që Musai të gjykojë mes tyre me ligjin dhe fenë e Allahut.

  Ne kemi ardhur me argumente nga Zoti yt. – Këto shenja tregojnë për vërtetësinë tonë si profetë të Zotit. Pastaj Musai filloi të paraqiste shenjat e mëdha. Ai hodhi shkopin, dhe “ai u bë gjarpër i vërtetë. Pastaj nxori dorën e tij: ajo ishte e bardhë për të gjithë shikuesit.” [Araf 108].

– “… dhe shpëtimi është për atë që ndjek Rrugën e Drejtë.” – Paqja e shpëtimi qoftë për këdo që ndjek rrugën e drejtë dhe ligjin e qartë të Zotit. Këta do të jetojnë në paqe e mirësi, në këtë botë dhe në ahiret.