– ”Dhe kur u thuhet: “Jepni nga ajo, me të cilën Allahu ju begatoi!” mohuesit (e besimit) u thonë besimtarëve: “Pse, ne do t’i ushqejmë ata, të cilët, nëse do të donte Allahu, do t’i kishte ushqyer (Vetë)? Ju jeni në një humbje të qartë.”. – Jepni për hir të Allahut nga ajo pasuri që Ai ju ka dhënë dhe kujtoni se, nëse Ai do të dëshironte, edhe mund t’ju privonte prej tij. Kur atyre u thuhej që të shpenzonin nga ajo pasuri, mohuesit (e besimit) u thoshin besimtarëve: “Pse, ne do t’i ushqejmë ata, të cilët, nëse do të donte Allahu, do t’i kishte ushqyer (Vetë)” Kështu ata e refuzuan urdhërin e Zotit, duke përdorur padrejtësisht si argument faktin se kjo na qenkësh dëshira e Zotit.
Sipas tyre, meqë Zoti dëshiroi t’i lerë të varfër, as ata nuk duhej që t’u jepnin atyre. Madje, ata thoshin më shumë se kaq: “Ju jeni në një humbje të qartë. Ju, o besimtarë, që na urdhëroni t’u japim të varfërve, jeni shumë të gabuar.” Kjo tregon për injorancën dhe padrejtësinë e tyre të pashembullt. Dëshira dhe caktimi i Zotit nuk mund të shërbejnë kurrsesi si justifikim për të padrejtin dhe gjynahqarin. Është e vërtetë se ajo që dëshiron Zoti të jetë është dhe ajo që Ai dëshiron të mos jetë, ajo nuk është, por, po ashtu është e vërtetë se Allahu e ka pajisur njeriun me forcë të mjaftueshme që të ketë të gjitha mundësitë të kryejë urdhëresat dhe të mund t’i largohet ndalesave të Tij. Kështu, nëse njerëzit nuk përmbushin urdhëresat e Zotit, ky është një veprim me zgjedhjen e tyre të lirë, që askush nuk i detyron apo i imponon që ta kryejnë. Pastaj këta të mjerë, duke treguar se nuk e besojnë ringjalljen dhe e shohin si diçka të largët, thanë: