Select Page

– “Ata (hipokritët) thonë: “Ne besojmë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij dhe u bindemi.”. – Allahu i Madhëruar na njofton rreth gjendjes së keqbërësve, atyre që në zemra kanë sëmundje dhe iman të dobët ose kanë paqartësi, dyshime e mungesë diturie. Me gjuhët e tyre deklarojnë se kanë iman në Allahun dhe se i binden Atij, por pastaj nuk e zbatojnë atë që thonë me gojën e tyre.

Por më pas, një grup prej tyre mbrapsen.“ – Një pjesë prej tyre i kthejnë shpinën bindjes ndaj Zotit dhe i kalojnë kufijtë e Tij. Madje bëjnë shkelje të rëndë, sepse këtë tregon fjala e Zotit, kur i përshkruan ata:

Këta nuk janë (vërtet) besimtarë.“ – Ai që i kthen shpinën dhe e shpërfill bindjen ndaj Zotit, shpesh mund ta bëjë këtë me nijetin për t’iu kthyer përsëri rrugës së drejtë. Por ai që i kthen shpinën sepse është mu’rid – rrefuzues, ai e braktis rrugën për të mos u kthyer më kurrë. Ai as që ia hedh më sytë rrugës që braktis dhe i kthen shpinën.

Kjo gjendje u shkon shumë për shtat disave që pretendojnë se e besojnë dhe i binden Allahut. Por, në fakt, këta janë me iman të dobët dhe i sheh që nuk kryejnë shumë adhurime, sidomos ato lloj adhurimesh që janë të vështira për nefsin, si dhënia e zekatit, shpenzimet e detyrueshme ose të pëlqyeshme, xhihadi në rrugën e Zotit etj.