– “Ne i dhamë edhe Musait një libër, për të cilin pati kundërshtime.” – Kuptimi: Ashtu sikurse të dhamë ty një Libër, ashtu i dhamë edhe Musait, por njerëzit vepruan me të ashtu sikurse vepruan me ty. Ata u kundërshtuan mes tyre rreth Shpalljes së Zotit. Prej tyre pati që e besuan Shpalljen e Zotit, dhe kjo u bëri dobi dhe u udhëzuan. Por pati shumë që e refuzuan, dhe kështu ajo nuk u bëri dobi.
– “Sikur të mos ishte vendimi i Zotit tënd, i vendosur më parë, gjykimi ndaj tyre do të kryhej menjëherë.” – Me butësinë dhe mëshirën e Tij, Allahu i Lartësuar u la afat atyre. Sikur të mos ishte vendimi i Tij për vonimin e ndëshkimit të Ditës së Gjykimit deri në afatin e përcaktuar, pa e shpejtuar dhe pa e vonuar atë, çështja e këtyre të mjerëve do të kishte përfunduar.
Me t’u bërë dallimi mes besimtarëve dhe mohuesve, këta të fundit do të ndëshkoheshin menjëherë, sepse e kanë plotësuar kushtin. Duke mohuar dhe refuzuar Shpalljen e Zotit, për ta bëhet i detyrueshëm ndëshkimi.
– “Me të vërtetë, ata janë në një dyshim të thellë rreth tij.” – Kuptimi: Dyshimet e tyre janë të thella e të mëdha, prandaj mohojnë.