– ”Ju banuat në vendbanimet e atyre që shkatërruan vetveten dhe e mësuat qartë se si vepruam me ta. Ne ju sollëm shembuj të qartë.” – Ju e kishit të qartë dhe e dinit mirë se çfarë bëri Zoti me ta dhe se si i ndëshkoi. Kur ata mohonin shpalljet dhe profetët, Zoti i ndëshkonte me shumë forma. Kjo duhet t’ju mjaftonte juve, që të pranonit dhe të pasonit të vërtetën.
Përveç kësaj, Zoti solli shembuj të shumtë e të qartë, që ta kuptonit mirë e lehtësisht të vërtetën. Shembujt largonin çdo dyshim nga zemra e atij që kërkon të vërtetën. Megjithatë, juve asgjë nga këto nuk ju bëri dobi. Ju, thjesht kthyet shpinën, për të vazhduar në të kotën ku ishit zhytur. Kështu vazhduat, derisa ndodhi ajo që ndodhi dhe ju arritët këtë ditë ndëshkimi. Sot nuk vlen justifikimi juaj i kotë dhe i pabazë.