Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit a.s, dhe i thotë:
– ”Prandaj paralajmëroji njerëzit për Ditën kur do t’u vijë Dënim …” – Përshkruajua qartë ndëshkimin që i pret dhe paralajmëroji, që të largohen nga veprat e dënueshme. Le ta dinë se, kur të vijë tmerri i atij ndëshkimi, ata që kanë qenë të zhytur në padrejtësi, duke mohuar Zotin, Shpalljen, Profetin dhe duke bërë gjynahe, do të bërtasin të penduar për çfarë kanë vepruar dhe do të kërkojnë që të kthehen. Por këto lutje dhe përgjërime nuk kanë efekt, sepse tashmë ka kaluar koha e tyre.
– ”… dhe kur keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë! Na lër edhe për pak kohë që t’i përgjigjemi thirrjes Sate dhe t’i pasojmë të dërguarit!” – Ata do të luten: “O Zoti ynë, na kthe në jetën e parë, se ne tashmë po shohim qartë. Na kthe në atë botë, që ne t’i përgjigjemi ftesës Tënde!” Dhe dihet se Allahu gjithmonë ka ftuar për në vendin e përjetshëm të paqes, për në Xhenetin e Tij.
Ata do të luten gjithashtu: “Na kthe në dynja, që të pasojmë të dërguarit e Tu!” Por të gjitha këto ata i thonë thjesht për të shpëtuar nga ndëshkimi i dhembshëm, sepse, në fakt, ata janë mashtrues dhe kurrë nuk do ta mbanin këtë premtim, sikurse thotë Allahu i Lartësuar. Edhe nëse do të ktheheshin në dynja, ata do të zhyteshin përsëri në harame, prandaj Allahu i Lartësuar, duke i qortuar, u thotë atyre:
– ”Po, a nuk e kishit zakon të betoheshit më parë se nuk kishit për t’u larguar kurrë (nga kjo botë)?” – Kuptimi: A nuk betoheshit ju se nuk do të largoheshit asnjëherë nga dynjaja për t’u ringjallur në ahiret? Tani doli në pah kotësia e betimeve dhe pretendimet tuaja të gënjeshtërta. Mosbesimi i ringjalljes dhe mosnënshtrimi ndaj Zotit nuk ishin për shkak të ndonjë mangësie dhe pamjaftueshmërie në argumentet e Zotit, pasi ato ishin shumë të qarta. Kësaj qartësie i shtohet edhe një fakt tjetër.