– “Dhe merre me dorën tënde një tufë thuprash dhe bjeri lehtë me to (gruas tënde) dhe mos e thyej betimin tënd!“ – Merr një grumbull thuprash dhe godite me to atë (gruan), që të mos e thyesh betimin. Mufesirët tregojnë dhe thonë se gjatë kohës së sëmundjes, Ejubi u zemërua me të shoqen për diçka dhe u betua se, kur ta shëronte Allahu, do ta godiste me 100 kamzhikë.
Kur Allahu e shëroi, ai duhej që të përmbushte këtë betim. Por gruaja e tij ishte bamirëse dhe besimtare e mirë, prandaj Allahu e mëshiroi atë dhe i dha këtë zgjidhje të thjeshtë, që edhe betimi të mos prishej, por edhe gruaja të mos dëmtohej. Ai e mësoi që të merrte një tufë me 100 thupra të holla dhe ta godiste vetëm një herë, duke e përmbushur kështu betimin e tij.
– “Vërtet, Ne e gjetëm atë durimtar.“ – Edhe kur kaloi këtë sprovë të madhe, ai bëri durim të madh, për hir të Allahut. Për këtë arsye, Allahu thotë për atë:
– “Sa rob i mirë ishte ai!“ – Ai i plotësoi gradat e adhurimit dhe tregoi se e donte Allahun dhe ishte i kënaqur me Të qoftë kur ishte në mirësi, qoftë në fatkeqësi, qoftë kur ishte i shëndetshëm, me fuqi e pasuri të madhe, qoftë kur ishte i varfër dhe i dobët.
– “Ai ishte i kthyer (me përunjësi) te Zoti.“ –Ejubi kthehej shumë tek Zoti i tij qoftë për çështjet e dynjasë, qoftë në çështjet fetare. Ai e përmendte shumë Allahun me lutje dhe i tregoi se e donte shumë Atë, me durimin, sjelljen dhe adhurimet e shumta që bënte.