– “Më pas, Ne i dërguam profetët Tanë njëri pas tjetrit.” – Zoti dërgoi ndër popuj profetë të shumtë, që vinin njëri pas tjetrit, në mënyrë që njerëzit të pajiseshin me besimin e saktë dhe të ktheheshin tek Ai të bindur dhe të nënshtruar. Por gjithmonë popujt i kanë mohuar dhe nuk u janë bindur profetëve të Zotit. Ata u janë përgjigjur me mohim e teprim në padrejtësi.
– “Por, çdoherë që një populli i vinte profeti i vet, ata e përgënjeshtronin atë.” – Sa herë që një populli u vinte një profet, ata e quanin gënjeshtar dhe e kundërshtonin, edhe pse profetët u sillnin mrekulli të shumta e të mjaftueshme që njerëzit të bindeshin për besnikërinë e tyre dhe për vërtetësinë e Shpalljes së Zotit. Në fakt, thjesht duke vështruar me kujdes ftesën e profetëve dhe Ligjin e Zotit, do të ishte mëse e mjaftueshme për të gjykuar drejt dhe për të provuar besnikërinë e këtyre profetëve dhe faktin se ata u dërguan nga Zoti i botëve.
– “Prandaj, Ne i dënuam ata popuj njëri pas tjetrit …” – Pas mohimit të besimit dhe refuzimit të profetëve nga ana e tyre, Ne i shkatërruam dhe i shfarosëm ata njëri pas tjetrit dhe nuk lamë në këmbë asnjë prej tyre. Vendbanimet e tyre u shkretuan.
– “… dhe i bëmë që të përmenden në tregime.” – Historia e tyre mbeti si legjendë, që brezat e tregonin njëri pas tjetrit. Ata shërbyen si mësim e përgëzim për të devotshmit, por edhe si kërcënim për ata që nuk besojnë dhe refuzojnë profetët dhe shpalljet e Zotit. Si poshtërim dhe përçmim, ata i ndoqi një mallkim tjetër nga Zoti:
– “Larg mëshirës së Zotit qoftë një popull që nuk beson!” – Larg mëshirës së Zotit qofshin, sa të ulët e të padrejtë që ishin!