– “Është Allahu Ai që bën ndërrimin e Natës dhe të Ditës.“ – Zoti e ndërron natën e errët dhe të ftohtë me ditën e shndritshme e të ngrohtë, e pastaj e kundërta. Është Ai që i ndërron ditët mes njerëzve, herë duke ngritur disa e herë duke i ulur, herë me mirësi e herë me bela e sprova.
– “Në të gjitha këto ka fakte për ata që shohin qartë (Shenjat e Allahut).“ – Ka mësime për ata që kanë vështrim të mprehtë për çështjet që kërkohen prej tyre. Ata dinë të depërtojnë dhe të kuptojnë hollësisht çështjet, ashtu siç sheh qartë syri gjërat e dukshme.
Sytë e tyre shohin në krijimin madhështor të Zotit me një mënyrë që synon të mësojë e të kuptojë mirë se çfarë është synuar me krijimin e tyre dhe çfarë kërkon Zoti prej tyre. Ndërsa të shkujdesurit shohin në këto krijesa me një mënyrë të padobishme, ashtu si bagëtitë.