– “Atë që Allahu e lë të humbur, nuk ka kush ta udhëzojë përveç Atij.” – Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është i vetmi që e mundëson udhëzimin. Nëse Ai nuk të udhëzon në rrugën e drejtë, je i humbur dhe kurrë nuk mund ta gjesh udhëzimin pa ndihmën e Tij. Allahu i Lartësuar është i Gjithëditur dhe i Urtë, prandaj udhëzon në rrugën e drejtë veçse ata që e meritojnë të udhëzohen, ndërsa të padrejtët dhe të pabindurit e kërkojnë humbjen vetë dhe e refuzojnë udhëzimin e Tij. Ata që refuzojnë udhëzimin e të Madhëruarit dhe e shpërfillin ftesën e Tij, askush nuk mund t’i ndihmojë për të dalë nga humbja dhe të gjejnë udhën e drejtë.
– “Do t’i shohësh keqbërësit që, kur ta vërejnë dënimin, do të thonë: …” – Ajo është një skenë e frikshme, e trishtueshme dhe e pashpresë. Kur ata të shohin ndëshkimin që po u afrohet, do të pendohen shumë për çfarë kanë bërë në dynja. Ata do të brengosen për shpërfilljen e ftesës bujare të të Madhërishmit, por tashmë çdo gjë ka marrë fund dhe nuk kthehet më pas. Në një gjendje të tillë tmerri dhe dëshpërimi, ata do të thonë:
– “A ka ndonjë rrugë për t’u kthyer (në jetën tokësore)?” – Kuptimi: A ka ndonjë mënyrë për t’u kthyer në dynja, që të veprojmë ndryshe nga ato që bëmë dhe që na futën këtu në Xhehenem? Kjo është një kërkesë e dëshpëruar, që kurrë nuk do t’u plotësohet.