– “Ty nuk po të thuhet gjë tjetër, veç asaj që u është thënë të dërguarve para teje.” – Kuptimi: Fjalët që drejtohen në adresën tënde, o i Dërguar, nga ana e atyre që e mohojnë Shpalljen hyjnore, janë të njëjta me shpifjet dhe fyerjet që u janë bërë të gjithë të dërguarve të Zotit. Është e çuditshme se të gjithë popujt jobesimtarë dhe refuzues të së vërtetës i kanë trajtuar njëlloj të gjithë të dërguarit, të cilët i ftonin për të qenë të sinqertë në adhurimin e një Zoti të vetëm.
Ata iu përgjigjën kësaj ftese të mrekullueshme me mënyrën më të shëmtuar. Shpesh ata thonin: “Ju jeni veçse njerëz si ne dhe Allahu nuk dërgon asnjë lloj shpalljeje. Ju jeni veçse gënjeshtarë.” [Ja sin 15]. Ndërsa herë të tjera, ata u kërkonin profetëve shenja dhe argumente të panevojshme, thjesht për të justifikuar refuzimin e tyre. Zemrat e tyre ishin të mbushura me mosbesim, prandaj ashtu ishin edhe fjalët e tyre.
Megjithatë, të gjithë profetët bënë durim kundrejt mundimeve dhe mohimeve, e kështu duhet të bënte durim edhe profeti Muhamed (a.s.) në rrugën e Zotit, në ftesën që u bënte njerëzve. Në vijim, Allahu i Lartësuar fton në pendim dhe në çdo gjë që mundëson faljen dhe mëshirën e Tij. Ai, gjithashtu, kërcënon jobesimtarët që të mos vazhdojnë më në rrugën e humbjes, duke thënë:
– “Me të vërtetë Zoti yt është Falës i Madh, por edhe ndëshkimin e ka të dhembshëm.” – Allahu është Falës i Madh. Me faljen e Tij të madhe, Ai ua fshin gjynahet atyre që pendohen dhe ndalen nga gjynahet. Por, nga ana tjetër, edhe ndëshkimi i Tij është i rreptë për ata që vazhdojnë në gjynahe dhe tregohen kryeneçë.