Select Page

– “Por kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ato (falja dhe durimi) janë nga virtytet më të larta.” – Ata që tregohen të durueshëm ndaj ngacmimeve që të tjerët u bëjnë, me fjalë apo me vepra, dhe i tolerojnë ata, –  pra, nuk ndërmarin masa ndëshkuese kundër tyre thjesht për të plotësuar dëshirën e tyre hakmarrëse, – me të vërtetë kanë përvetësuar një nga cilësitë më të vyera. Allahu i Lartësuar ka nxitur shumë për t’u pajisur me këtë cilësi, të cilën, në fakt, e fitojnë veç njerëzit që Ai ua jep suksesin ta fitojnë. Nga ana e tyre, njerëz të tillë kanë vullnet të çeliktë, mençuri dhe dituri. Në të vërtetë, lënia e hakmarrjes për vetveten është shumë e vështirë për shpirtin, sepse ai gjithmonë kërkon ta shkarkojë zemërimin dhe urrejtjen e tij. Ndërsa falja, tolerimi apo bamirësia ndaj atij që të ka bërë keq janë edhe më të vështira sesa thjesht lënia e hakmarrjes. Sidoqoftë, ato janë të thjeshta për atë që Allahu i Lartësuar ia lehtëson, pasi ai është përpjekur sinqerisht për të qenë i tillë dhe e ka lutur Allahun që t’ia arrijë qëllimit. Kur robi ia arrin këtij qëllimi, ai ndien ëmbëlsinë e virtytit dhe bëhet më i motivuar për të vazhduar atë rrugë, duke mos i lejuar vetes sjellje tjetër.