– ”Ata u betuan me betimin më të fortë në Allahun se, nëse do t’u vinte ndonjë Profet, ata do të ishin më të udhëzuar (më besimtarë) se çdo popull tjetër (jehudët e krishterët).” – Ata që refuzuan të besonin dhe që të quajtën gënjeshtar, të betohen ty, o Profet, se: “… nëse do t’u vinte ndonjë profet, ata do të ishin më të udhëzuar (më besimtarë) se ata dy popuj (jehudë e krishterë).” Ata betohen solemnisht se, nëse do të ndodhte kjo, do të ishin edhe më të udhëzuar se jehudët dhe krishterët. Megjithatë, ata nuk i mbajtën premtimet e tyre:
– ”Por, kur atyre u erdhi Profeti, kjo u shtoi veçse largimin (nga e Vërteta). Për shkak të mendjemadhësisë së tyre dhe të dredhive të tyre për të keqen.” – Ata nuk e pranuan udhëzimin dhe nuk u nënshtruan të ndiqnin rrugën e Profetit (a.s.). Madje, ligësinë në të cilën ishin zhytur e shtuan edhe më shumë pas ardhjes së Shpalljes. Për këtë arsye, Allahu tha: “Kur atyre u erdhi Profeti, kjo u shtoi veçse largimin (nga e vërteta).”
Ata e shtuan edhe më shumë inatin, kokëfortësinë dhe refuzimin e së vërtetës, derisa kjo i shtyu në luftë të ashpër kundër saj. Në fakt, betimet nuk u bënë duke pasur qëllim të vërtetën, por si shprehje e arrogancës ndaj të vërtetës. Nëse do të kishin si qëllim të vërtetën, Allahu do t’ua bënte mbarë që ta gjenin dhe ta pranonin atë. Ata thjesht lëvdoheshin me fjalët dhe betimet e tyre, duke dashur të mashtronin njerëzit, për t’i bërë të mendonin se ata e donin të vërtetën dhe i trajtonin me urtësi dhe kujdes ftesat e mira. Kështu, pasuesit e tyre mashtroheshin me këto fjalë të bukura dhe merrnin ata si shembull dhe justifikim për të refuzuar të vërtetën.
– ”Por, dredhia për të keqen nuk godet askënd tjetër veç atyre që e kurdisën. A janë duke pritur ata ndonjë ligj tjetër veç ligjit të Allahut ndër popujt e hershëm? Në ligjin e Allahut nuk do të gjesh asnjë ndryshim.” – Planet e këqija do të rëndojnë veçse mbi autorët e tyre. Edhe në këtë rast, Allahu i Lavdëruar i zbuloi betimet dhe qëllimet që ata fshihnin, prandaj besimtarët u ruajtën dhe nuk u dëmtan aspak nga intrigat e mohuesve.
Të vetmit të dëmtuar ishin ata vetë, sepse u rënduan me peshën e gabimeve dhe u poshtëruarn, pasi Allahu i Madhëruar ua nxori të palarat në shesh. Intrigat e mohuesve ranë mbi kokat e vetë atyre, ndërsa zemrat e tyre u mbushën me mllef. Tashmë mbetet veçse që dënimi t’i gllabërojë, ashtu siç është ligji i pandryshueshëm i Zotit me të parët dhe të fundit. Ky rregull kurrë nuk ndryshon dhe nuk zhvlerësohet. Çdokush që tregohet i padrejtë, kokëfortë e kryeneç me njerëzit, do të përfshihet nga zemërimi e dënimi i Zotit dhe do t’i hiqen mirësitë e Tij. Për këtë arsye, le të presin dhe të shohin këta të mjerë se çfarë do të ndodhë me ta, se do të jetë e ngjashme me atë që ndodhi me brezat e shkuar.