– ”Këta janë shëmbuj që Ne i sjellim për njerëzit, por vetëm ata që kanë dije i kuptojnë ato.” – Shëmbuj për të mirën e për të lehtësuar njohuritë. Ato i sjellin çështjet konceptuale më pranë shqisave dhe i bëjnë më të dukshme dhe të kuptueshme ato. Nëpërmjet tyre merret kuptimi i synuar. Ato janë nga rrugët më të dobishme të kuptimit të saktë të njohurive për të gjithë njerëzit. Sjellja e shembujve është mënyra më e mirë e të kuptuarit. Por ata që i kuptojnë vërtet me zemër janë vetëm ata që Zoti i quan: “alimun”, të diturit, që dituria iu ka hyrë thellë në zemra.
Ky ajet është një tregues i rëndësisë dhe dobisë së madhe të këtyre shembujve që Allahu i Madhëruar sjell në Kur’an dhe një nxitës për të medituar rreth tyre. Gjithashtu, ajeti është edhe një lëvdatë për ata që meditojnë dhe i logjikojnë drejt këta shembuj. Të medituarit dhe nxjerrja e mësimeve nga këto shembuj është tregues se ata janë dijetarë. Po ashtu, nga kjo kuptohet se ata që nuk i kuptojnë e nuk logjikojnë rreth tyre nuk janë dijetarë. Shkak për këtë konstatim është fakti që Allahu i Lartësuar i ka sjellë këto shembuj në Kur’an, për të treguar çështje madhore dhe shumë të rëndësishme prej qëllimeve të larta. Dhe ata që janë të ditur e kuptojnë se të tilla çështje janë më të rëndësishme se çështjet e tjera, për të cilat nuk janë sjellë shembuj.
Rëndësia duket në faktin që Allahu i Madhëruar i ka dhënë më shumë shpjegim e trajtim se të tjerat dhe ka nxitur që ato të meditohen dhe logjikohen me kujdes. Madje ka urdhëruar që robërit të shpenzojnë çdo kapacitet mendor për të mësuar mesazhin e kumtuar. Kështu, ata që nuk logjikojnë dhe as meditojnë rreth këtyre shembujve, me gjithë këtë rëndësi të madhe, tregojnë me neglizhencën e tyre se ata nuk janë dijetarë. Nëse ata nuk njohin çështjet më të rëndësishme, atëherë për çështjet e tjera do të jenë më të paditur. Po të meditosh me kujdes, e kupton se shumica e çështjeve për të cilat Zoti ka sjellë shembuj në Kur’an janë rreth bazave më të rëndësishme të fesë dhe besimit.