Select Page

– “E çfarë gjykimi kërkojnë prej teje, kur ata kanë Teuratin, në të cilin është gjykimi i Allahut, e megjithatë e refuzojnë atë?! Ata nuk janë besimtarë.” – Nëse ata do të ishin besimtarë të vërtetë dhe do të zbatonin gjithçka që kërkon besimi, atëherë kurrë nuk do të devijonin nga gjykimi i drejtë që gjendet në Teurat. Po të ishin vërtet të sinqertë, ata nuk do të vinin tek ti me shpresë se do të gjenin ndonjë gjykim tjetër, që do t’u shkonte pas oreksit.

Edhe kur ti gjykove me drejtësi me ligjin e Zotit, që është plotësisht në përputhje me tekstet e tyre fetare, ata nuk e pranuan dhe nuk u kënaqën, por të kthyen shpinën. Këta lloj njerëzish, sikurse thotë i Madhëruari: “nuk janë besimtarë”, sepse nuk janë këto sjellje të besimtarëve. Të tilla sjellje nuk kanë lidhje me besimin dhe besimtarët. Këta nuk mund ta gëzojnë imanin, sepse ata adhurojnë epshin e tyre, të cilin e duan, i nënshtrohen dhe e pasojnë. Ligjet e imanit ata ia nënshtrojnë ‘ligjeve’ të dëshirave të tyre.