Select Page

– ”Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga besimi i drejtë) ajo që adhuronte përveç Allahut.” – Ajo ishte vërtet një grua e zgjuar e urtë dhe e mençur, por e kishin penguar nga pranimi i Islamit ato besime të kota, që e largojnë dritën nga zemra dhe forcën për pranuar udhëzimin e drejtë. Me mendjen e saj ishte e aftë të dallonte të mirën nga e keqja, të drejtën nga kotësia, por kur besimet e kota të verbojnë zemrën, njeriu vazhdon në të kotën, derisa t’i vijë drita e të ndriçohet.

– ”Ajo ishte nga një popull jobesimtar.” –Prandaj edhe ajo kishte fenë e humbjes. Është shumë e vështirë për një njeri që të kundërshtojë gjithë popullin e vet që janë në humbje dhe kotësi, prandaj nuk është e çuditshme që ajo kishte fenë e tyre, sidomos kur nuk kishte shtytje nga e mira dhe ftesë të qartë drejt saj. Sulejmani (a.s) deshi që t’i tregonte Belkisës diçka prej pushtetit të tij, që ajo të kuptonte më mirë mbretërimin dhe pasuritë e mëdha që ai zotëronte. Ai e ftoi atë në sallonin madhështor të pritjes, i cili ishte shumë i gjerë dhe i lartë. Dyshemeja e tij ishte prej xhami dhe poshtë xhamit kishte ujë që lëvizte, prandaj të jepte përshtypjen se po shkelje mbi ujë.