– ”Ata janë duke vrapuar me kokat lart, me sytë e tyre të hapur e të papulitur me zemrat e tyre të zbrazëta.” – Sytë e tyre nuk puliten, nga tmerri dhe frika e asaj që shikojnë. I sheh ata të nxitojnë drejt zërit, që i thërret ata për të dalë para Allahut, për të dhënë llogari, dhe ata kurrë nuk mund t’i shmangen apo të gjejnë vend ku të fshihen. Kokat e tyre janë të ngritura lart, sepse duart i kanë të prangosura dhe të lidhura pas qafës. Kraharorin e kanë të zbrazët, sepse zemra iu shkon në grykë, nga frika. Gjoksi i tyre mbushet me ankth, frikë, dëshpërim dhe tmerr.