Select Page

Allahu i Madhëruar përmend dobësinë dhe mjerimin e atyre që adhurojnë idhuj në vend të Tij. Ata janë të gjithë lutës dhe idhuj të pafuqishëm, të varfër e nevojtarë për Allahun të Gjithëmëshirshmin, mëshira e të Cilit ka përfshirë gjithçka, të mirin dhe të keqin. Ai kujdeset për të gjithë, natën dhe ditën. Ai thotë:

– ”Thuaj: “Kush ju mbron ju gjatë natës dhe ditës prej (Dënimit të) të Gjithmëshirshmit?” – Kush ju ruan dhe kujdeset për ju gjatë natës, kur jeni në gjumë në shtratin tuaj dhe nuk ndieni e nuk dini asgjë? Po gjatë ditës, kur shpërndaheni për veprat tuaja të zhytur në pakujdesi? A nuk është Rahmani Ai që kujdeset për ju dhe ju ruan e mbron në çdo kohë dhe gjendje? A ka ndonjë tjetër që kujdeset për ju?! Jo, nuk ka mbrojtës tjetër veç Tij.

– ”Megjithatë, ata ua kthejnë shpinën këshillave të Zotit të tyre.” – Prandaj i bëjnë shokë Atij. Nëse do të përkushtoheshin në adhurimin dhe kujtimin e Zotit të tyre dhe do të dëgjonin këshillat e porositë e Tij, do të gjenin rrugën e drejtë dhe do t’u jepej sukses për çdo të mirë e mbarësi.