– “Ne kemi çuar të dërguar në shumë popuj para teje. – Allahu i Lartësuar na tregon se ka dërguar profetë e lajmëtarë edhe në popujt e shkuar, të cilët i mohuan dhe i refuzuan me kokëfortësi dhe padrejtësisht shpalljet e Tij. Allahu i Lartësuar thotë më pas:
– “Ne i dënuam ata popuj me skamje e mjerim, që të mësonin të përuleshin. Përse, atëherë nuk mësuan të përuleshin pasi u erdhi dënimi Ynë? – Allahu i Lartësuar i goditi ata me varfëri, sëmundje dhe fatkeqësi në çdo drejtim. Të gjitha këto i bëri për t’i mëshiruar, me qëllimin që ata të nënshtroheshin dhe t’i drejtoheshin me lutje e përgjërim, për të shpëtuar nga ato ndëshkime.
– “Sepse zemrat e tyre ishin të ngurta …” – Zemrat e tyre u ngurtësuan dhe kurrë nuk pranuan të nënshtroheshin për të pranuar të vërtetën. Ndërsa nga ana tjetër:
– “… Shejtani ua hijeshoi atë që bënin.” – Kështu, ata mendonin se besëtytnitë që kishin ishin feja e vërtetë. Ata kishin gjetur prehje në besimet e kota, ndërkohë që Shejtani luante me mendjen dhe arsyen e tyre.