Select Page

  “Atij, për të cilin besonte se do të shpëtonte, i tha: “Më kujto mua te zotëria yt!”.” – Jusufi iu drejtua të riut që, sipas ëndrrës, do të lirohej dhe do t’i shërbente zotërisë së tij, dhe i tha: “Më kujto mua te zotëria yt!”. Pra, hape çështjen time te zotëria yt, se mbase kështu ai vendos që të pastrojë figurën time para ligjit dhe të më lirojë nga burgu. Por Allahu i Madhëruar  thotë:

– “Por shejtani e bëri të harronte e të mos e kujtonte te zotëria i tij …” – Shejtani i mallkuar e bëri atë djalë që, kur të dilte, ta harronte Allahun dhe gjithçka që të afron tek Allahu. Ndër çështjet që harroi ishte edhe porosia e Jusufit, i cili e meritonte që të shpërblehej për bamirësinë që i kishte bërë në burg. Por, gjithsesi, çdo gjë ndodh me përcaktimin e Allahut të Lartësuar, i Cili do ta çonte deri në fund planin e Tij:

– “Dhe kështu ai mbeti në burg edhe për disa vjet.” – Shprehja: “bid’a sinin” do të thotë: nga tre deri në nëntë vjet. Për këtë arsye, thuhet se Jusufi ka qëndruar në burg shtatë vjet. Pastaj, kur Allahu i Lartësuar deshi ta nxirrte Jusufin nga burgu, caktoi një shkak për ta realizuar këtë vendim. Qëllimi ishte që ta ngrinte lart gradën  dhe famën e Jusufit. Shkak u bë një ëndërr që pa Mbreti i atij vendi.