– “Atë Ditë, ata që nuk kanë besuar dhe që kanë kundërshtuar të Dërguarin, do të dëshironin të rrafshohej toka mbi ta, …” – Çdokush që ka mohuar Zotin dhe Profetin e Tij do të dëshirojë atë ditë që ta gëlltisë toka, të humbasë e të tretet në të dhe të mos kthehet më në jetë.
– “… sepse ata nuk do mund t’i fshehin Allahut asgjë.” – Ata nuk do të mund t’i fshehin Allahut të Lartësuar asgjë. Përkundrazi, ata do të pohojnë dhe pranojnë çdo krim e padrejtësi që kanë kryer. Atë ditë do të dëshmojë gjuha e tyre, duart e tyre dhe këmbët e tyre për gjithçka që kanë bërë. Atë ditë, Allahu i Lartësuar do t’u japë atë që meritojnë dhe çdokush do të bindet se Allahu është e Vërteta.
Për sa u përket transmetimeve ku thuhet se, Ditën e Gjykimit, qafirët do të mundohen të fshehin faktin se ishin mohues të së vërtetës, është e vërtetë që kjo do të ndodhë në disa momente të asaj dite. Ata do të pandehin se, duke u shtirur sikur nuk kanë qënë mohues, do të shpëtojnë nga ndëshkimi i Zotit. Por kur e vërteta të dalë në shesh dhe vetë gjymtyrët e tyre të dëshmojnë kundër, atëherë çdo gjë do të shkojë në vendin që i takon dhe çdo çështje do të qartësohet. Në atë kohë, shtirja nuk ka asnjë dobi.