Select Page

– “O i Dërguar! Mos u brengos për ata që nguten për në mosbesim, …” – Profeti (a.s)ishte shumë i angazhuar në udhëzimin e njerëzve dhe shqetësohej shumë për ta. Për këtë arsye, nëse ndonjëri prej atyre që, në fakt, thjesht sa shfaqej si besimtar, largohej, kthehej në kufër, Profeti (a.s)trishtohej shumë. Por Allahu i Lartësuar e udhëzoi që të mos shqetësohej për ata lloj njerëzish, sepse ata ishin njerëz të padobishëm. Nëse ishin të pranishëm, nuk sillnin ndonjë dobi, e nëse mungonin, kjo mungesë e tyre nuk ndihej. Pastaj i Madhëruari shpjegon shkakun pse Profeti (a.s)nuk duhet të shqetësohej për këta:

– “… të cilët me gojët e tyre thonë: “Kemi besuar”, ndërsa zemrat e tyre nuk kanë besuar. …” – Ata për të cilët duhet të shqetësohesh janë besimtarët e vërtetë, me zemër dhe me trup. Allahu i Madhëruar është i pastër nga çdo e metë, që mund të lejojë që besimtarët e vërtetë të kthehen nga besimi i tyre dhe ta lëshojnë fenë e Tij. Nuk ka dyshim se, kur imani futet thellë në zemër, njeriu nuk e braktis kurrë atë dhe kurrë nuk kërkon ta zëvendësojë.

  “Prej judejve ka shumë që e pasojnë gënjeshtrën dhe i binden një populli që nuk kanë ardhur asnjëherë tek ti (për të dëgjuar të vërtetën).” – Kuptimi: Prej judejve ka të tillë që kurrë nuk të pranojnë, por thjesht pasojnë verbërisht krerët e tyre, të cilët çdo gjë e kanë ndërtuar mbi mashtrimin, humbjen dhe devijimin. Këta krerë, që kanë hapur rrugët e humbjes, nuk erdhën kurrë tek ti për të dëgjuar dhe për të mësuar të vërtetën. Ata të kthyen shpinën dhe u vetëkënaqën me gënjeshtrat e tyre.

– “Ata i ndryshojnë kuptimet e fjalëve …” – Ata kënaqeshin me tjetërsimin e kumtit të fjalëve, duke u dhënë atyre kuptime të pasakta e të pavërteta, kuptime që Allahu i Madhëruar kurrë nuk i ka synuar dhe dëshiruar. E gjitha kjo, për të devijuar njerëzinë dhe për të refuzuar të vërtetën. Kështu, ata judej pasonin verbërisht ftuesit për në humbje; ata pasonin diçka të pamundur dhe të pavërtetë. Ata nuk e vinin në përdorim logjikën dhe nuk kishin as synimin më të vogël për të gjetur të vërtetën. Për të tillë njerëz, – thotë ajeti, – mos u shqetëso dhe mos të të vijë keq, nëse nuk të pasojnë. Ata janë shumë të mangët, dhe për të mangëtit nuk duhet të brengosesh.

– “… dhe thonë: “Nëse ju jepet kështu, pranojeni, e nëse nuk ju jepet kështu, atëherë bëni kujdes (mos e pranoni)! – Ata i thonin këto fjalë kur shkonin që të dëgjonin gjykimin e Profetit (a.s)për ndonjë çështje të tyre. Por ata nuk kishin qëllim tjetër, veç pasimit të dëshirave të tyre. Kështu, ata i thonin njëri-tjetrit: “Nëse Muhamedi jep këtë lloj gjykimi, që ju vjen pas oreksit, atëherë pranojeni dhe zbatojeni atë. Por nëse ai nuk gjykon sipas dëshirave tuaja, atëherë kujdes dhe mos e pasoni!” Kjo ishte sigurisht një e keqe e madhe, sepse ishte thjesht pasim i dëshirave dhe pasioneve.

– “Por atë që Allahu dëshiron ta sprovojë, ti nuk mund ta shpëtosh.” – Kjo i ngjan ajetit kur’ânor: “Ti nuk mund të udhëzosh atë që e do, por është Allahu Ai që udhëzon atë që dëshiron”.

“Këta janë ata, të cilëve Allahu nuk do t’ua pastrojë zemrat.” – Pikërisht për këtë arsye erdhi prej tyre ajo që erdhi. Ajeti tregon se, kur dikush gjykon dhe punon me Sheriat thjesht që të përmbushë dëshirat e veta, atëherë kjo është shenjë e papastërtisë së zemrës së tij. Ndryshe thuhet për atë që gjykon me Sheriat duke synuar zbulimin e së vërtetës dhe punën me të dhe, veç kësaj, kënaqet dhe tregon përunjësi në zbatimin e tij. Kjo, pa dyshim, është shenjë e pastërtisë së zemrës, e cila është shkak për arritjen e çdo të mire. Pastërtia e zemrës është faktori dhe burimi kryesor i çdo fjale të drejtë dhe pune të mirë e të pranueshme te Zoti.

– “Në këtë jetë, ata kanë poshtërim, kurse në jetën tjetër kanë dënim të madh.” – Në dynja, atyre të mjerëve, zemrat e të cilëve nuk u pastruan, u takon poshtërimi dhe turpi, ndërsa në ahiret i pret ndëshkimi i dhembshëm në Zjarr dhe zemërimi i të Pamposhturit, Ndëshkuesit të rreptë dhe Nënshtruesit të gjithçkaje.