Select Page

Ne ta shpallëm ty librin me të vërtetën për (të udhëzuar) njerëzimin. Allahu i Lartësuar na njofton se ia shpalli Librin Profetit të Tij, dhe ky Libër përmban të vërtetën në lajmet që përcjell, në urdhëresat e ndalesat.

Ai është lënda bazë e udhëzimit dhe ushqimi i vetëm i mjaftueshëm për këdo që dëshiron të arrijë kënaqësinë e Zotit dhe të shijojë lumturinë në vendin e nderimit dhe shpërblimit të përjetshëm. Ai është argumenti i pakundërshtueshëm për krijesat, pas të cilit askush nuk do të ketë më justifikim para Zotit, nëse nuk beson dhe nuk nënshtrohet.

Atëherë, kush drejtohet për në rrugën e vërtetë, ai e ka për vete. Ai që ndriçohet nga drita e këtij libri dhe nënshtrohet të adhurojë Zotin përmes urdhëresave dhe rrugës së treguar në këtë libër, dobia e gjithë kësaj ka për t’iu kthyer tek vetvetja.

E kush largohet nga ajo, i bën dëm vetëm vetes. Ai i cili zhytet në humbje e mosbesim, edhe pasi i është bërë e qartë e vërteta dhe udha e Zotit, i bën dëm vetëm vetes dhe nuk ka për të dëmtuar aspak Allahun.

Dhe ti nuk je kujdestari i tyre. Ti nuk je përgjegjës për të ruajtur punët e tyre apo t’i marrësh në llogari për kryerjen ose jo të tyre. Madje, ti as nuk mundesh që t’i detyrosh ata për gjë. Ti je veçse një kumtues i qartë, që u përcjell atyre atë për të cilën je urdhëruar.