– “Dhe Unë të kam përgatitur ty për Vete (për të më shërbyer).“ – Unë të zgjodha për veten Time. Çfarë thënie e jashtëzakonshme! Zoti e zgjodhi Musain për Veten e Tij, duke hedhur mbi të mirësitë e Tij të shumta. Ai e edukoi, u përkujdes dhe e vështronte vazhdimisht me dashurinë e Tij të veçantë. Musa arriti në këtë aspekt një gradë që pakkush e kishte arritur më parë.
Në këtë jetë, kur dikush kujdeset për të dashurin e tij, përkushtohet të rregullojë çështjet e tij në çdo kohë e gjendje dhe dëshiron ta bëjë atë të përkryer. Ai bën gjithçka për ta realizuar këtë gjë. Atëherë, si mendon se do të bënte Zoti i Plotpushtetshëm dhe Bujar me atë që e kishte zgjedhur për Veten e Tij dhe që e kishte dalluar mbi krijesat e tjera?