Duke dashur të qetësonte Profetin e Tij të dashur, i cili ishte tepër i shqetësuar nga mospranimi i thirrjes së tij prej qafirëve, Allahu i Madhëruar i thotë se ata janë njerëz tek të cilët nuk gjendet ndonjë mirësi. Ata nuk janë aspak të denjë që Zoti t’i udhëzojë në rrugën e drejtë. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë një popull të prishur.
– “Vallë, ti do ta bësh të shurdhërin të dëgjojë? Ti do ta drejtosh të verbërin dhe atë që është në humbje të qartë?” – Kuptimi: Vallë, ti do t’i bësh të shurdhërit ndaj të vërtetës të dëgjojnë?! Ti do t’i udhëzosh në rrugën e drejtë të verbuarit nga kjo rrugë, të cilët nuk duan ta shohin atë rrugë?! E si do t’i udhëzosh ata që kanë humbur larg, me vetëdije të plotë nga ana e tyre?!
Madje, ata janë të kënaqur për rrugën e humbjes ku janë futur. Pra, ashtu sikurse të shurdhërit nuk dëgjojnë dhe të verbërit nuk shikojnë asgjë, edhe të humburit që janë të kënaqur me humbjen e tyre, nuk mund ta gjejnë dot rrugën e drejtë. Logjika e tyre është e sëmurur rëndë, për shkak të shpërfilljes dhe refuzimit të Shpalljes së Zotit. Ata bien në grackën e shejtanit, duke u marrë me besime e doktrina të kota e të paqëna.
Si rrjedhojë e përzgjedhjes së gabuar të tyre, ata marrin cilësi të shëmtuara, që i pengojnë të kthehen tek e vërteta. Madje, ato cilësi i zhysin edhe më shumë në llumin që i ka mbuluar. Përfundimisht, për ata ka mbetur që vetëm të ekzekutohet ndëshkimi në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Për këtë arsye, i Madhëruari thotë: