Select Page

“Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë; …” – Allahu i Lartësuar përmend në këtë ajet karakterin që mund të marrë shpagimi i një të keqeje. Ai mund të jetë: me drejtësi, me tolerancë dhe me padrejtësi. Shpagimi me drejtësi është kur e keqja kthehet me të njëjtën formë, pa shtuar dhe pa pakësuar gjë, për shembull: kur jeta shpaguhet me jetë, plaga me plagë, pasuria me pasuri, me të njëjtën masë dhe mënyrë. Ndërsa shpagimi me tolerancë është kur e fal atë që të ka bërë keq, madje ia kthen me të mirë. Për këtë, i Gjithëmëshirshmi thotë:

– “… por kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu …” – Për këta njerëz, Allahu i Lartësuar ka përgatitur shpërblim të madh dhe mirësi të shumta. Vërej me kujdes! Allahu i Lartësuar nuk ka urdhëruar thjesht për të falur, por ka shtuar edhe përmirësimin e gjendjes. Kjo do të thotë që, nëse shpresohet përmirësimi i gjendjes së atij që ka bërë padrejtësi, atëherë falja e tij është e shpërblyeshme dhe sjell mirësi të shumta. Por nëse falja nuk e përmirëson gjendjen e atij, nuk sjell të mira apo sjell shtimin e të këqijave, atëherë në këtë rast falja nuk është e shpërblyeshme, madje mund të jetë edhe e palejueshme. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar nuk ka përmendur ndonjë shpërblim të veçantë për këtë rast, por thjesht ka thënë se shpërblimi është tek Ai. Kjo e nxit më shumë njeriun dhe e bën të mendohet mirë për mënyrën se si sillet me njerëzit. Kjo e nxit atë që të shpresojë dhe të përpiqet më shumë për të arritur faljen e Allahut, duke falur dhe toleruar njerëzit ose duke u sjellë me ta ashtu sikurse shpreson që të trajtohet nga Allahu i Lartësuar. Dihet mirë se nëse ti fal të tjerët, edhe Allahu të fal ty, por të mos harrojmë se falja e Tij është shumë herë më e madhe dhe më bujare. Shpërblimi nga Allahu është sipas llojit të punës së robit. Kush do që Allahu ta falë, le të përpiqet që t’i falë njerëzit. Kush do që Allahu ta mëshirojë dhe t’ia mbulojë të metat, le të mëshirojë dhe të mbulojë të metat e të tjerëve. Ndërsa për sa i përket shpagimit me padrejtësi, Allahu i Lartësuar thotë:

“Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët.” – Të padrejtë janë ata që u bëjnë padrejtësi të tjerëve, por edhe ata të cilët, kur duan të marrin hakun e tyre, e tejkalojnë masën. Edhe kjo e fundit konsiderohet padrejtësi, prandaj është e ndëshkueshme.