– ”Ndërsa një që kishte dituri nga Libri tha: “Unë ta sjell atë ty sa hap e mbyll sytë.” – Mufesirët kanë thënë se ai ishte një burrë besimtar dhe i ditur pranë Sulejmanit, që quhej Asif ibn Burhije. Thuhej se ai dinte emrin më të madh të Allahut, atë emër që, nëse e lusje Allahun me të, Ai të përgjigjej dhe nuk ta kthente duanë. Ky i tha: “Unë ta sjell atë ty sa hap e mbyll sytë.” Pra, ai do ta luste Allahun me emrin e Tij më të madh dhe Ai do t’i përgjigjej. Si përfundim, ai e luti Zotin dhe e kreu atë detyrë. Allahu e di më mirë se si ndodhi. A ndodhi sepse dinte emrin e Allahut dhe iu realizua menjëherë ajo që kërkoi, apo ai kishte një lloj njohurie nga Libri nëpërmjet së cilës mund të transportonte pesha të rënda? E rëndësishme është që Sulejmani e pa atë fron madhështor para syve të vet.
– ”Kur Sulejmani e pa atë (fron) para vetes, tha: “Kjo është mirësia e Zotit tim, që të më sprovojë mua a do të jem mirënjohës apo mosmirënjohës.” – Allahu dëshiron të më sprovojë, a do jem një besimtar i mirë e mirënjohës për dhuntitë e dhuruara nga Ai, apo një mohues, mosmirënjohës dhe arrogant, siç janë mbretërit tiranë të kësaj bote? Sigurisht, Sulejmani nuk ishte i vetëmashtruar nga pushteti dhe forca e madhe që i ishte dhuruar, por e kuptoi mirë dhe e lexoi si duhet gjendjen ku ndodhej. Ai ishte në sprovë nga Zoti dhe u frikësua se a do t’i jepte Atij hakun e falënderimit, mirënjohjes dhe lavdërimit Allahut? Pastaj ai qartësoi faktin se kjo lloj mirënjohjeje nuk i sjell asnjë dobi Allahut, por vetë njeriut që e ka:
– ”Kush është mirënjohës, është për të mirën e vet dhe kush është mosmirënjohës (ta dijë se), Zoti im është i Pasur e Bujar!” – Ai është El Ganij – i Pasuri, Jonevojtari për krijesat dhe punët e tyre. Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe gjithçka ka nevojë për Të. Ai është El Kerim – Bujari me mirësi të shumta, mirësi që përfshijnë mohuesin dhe besimtarin, mirënjohësin dhe mosmirënjohësin. Pra, pa dyshim që mirënjohja për mirësitë e Tij sjell shtim të të mirave dhe mohimi i tyre sjell largimin e mirësive.