– “Edhe nëse do të të mundësojmë ta shohësh (sa je gjallë) një pjesë të asaj që ua kemi premtuar atyre, apo të ta marrim shpirtin (para se të përfundojë e gjitha), detyra jote është vetëm kumtimi i qartë (i shpalljes), kurse gjykimi për ta i Yni.“ – Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit a.s, dhe i thotë që të mos nxitohet duke kërkuar përshpejtimin e ndëshkimit të tyre. Një gjë është e sigurt: nëse ata do të vazhdojnë në shfrenimin e tyre dhe në refuzimin e besimit të drejtë, ka për t’i përfshirë ndëshkimi që u premtohet.
Ky ndëshkim është në dorën e Zotit, i Cili mund ta realizojë ose gjatë jetës tënde ose në ahiret. Kjo është çështje që e vendos Zoti dhe nuk është detyra jote. Detyra jote është kumtimi i qartë i të vërtetës dhe i Shpalljes së Zotit për krijesat. Ndërsa llogaria e tyre është në dorën e Zotit: Ai do t’i marrë në llogari krijesat. Në dorën e Tij është shpërblimi ose ndëshkimi i tyre. Në vijim, Allahu i Lartësuar kërcënon ata që mohojnë të vërtetën: