– “Po nëse ata heqin dorë, Allahu sheh gjithçka që bëjnë ata. E nëse refuzojnë, dijeni se Allahu është Mbrojtësi juaj.” – Nëse ata nuk e braktisin atë mënyrë jetese plot padrejtësi dhe mohim, atëherë le ta dinë se Allahu di gjithçka që ata bëjnë haptas apo fshehtas. Nëse ata nuk binden, por e lëshojnë veten në harresë, shkujdesje dhe në errësirat e humbjes, atëherë dijeni, o besimtarë, se:
– “Ai është Mbrojtësi dhe Mbështetësi më i mirë.” – Sa kujdestar i mirë, i mëshirshëm dhe i dashur është Allahu! Ai kujdeset për adhuruesit e Tij besimtarë, duke u falur vazhdimisht mirësi dhe begati të shumta. Ai ua lehtëson rrugët për arritjen e të gjitha mirësive dhe dobive, që kanë lidhje me çështjet e tyre të fesë dhe të kësaj bote.
Sa mbrojtës dhe mbështetës i mirë është Allahu! Ai gjithmonë i ndihmon robërit e Tij besimtarë dhe i ruan ata nga kurthet, intrigat dhe aleancat e kriminelëve dhe mohuesve. Nëse kujdestari dhe mbrojtësi yt është Allahu, atëherë nuk ka më asgjë për të cilën duhet të shqetësohesh. E nëse Allahun e ke kundër teje, atëherë kurrë nuk ke për t’i rezistuar të Madhërishmit dhe ushtrisë së Tij.