– “Dhe ja. Motra jote ecte (pas teje) e thoshte: “A doni t’ju tregoj dikë që do të kujdeset për të?” – Motra e Musait shkoi tek ata dhe u tha: “A doni t’ju tregoj për një familje që do të kujdeset për të dhe që do të jenë të përkushtuar ndaj tij?” [Kasas 12].
– “Kështu, Ne të kthyem te nëna jote, që të gëzohej e të mos mbetej e pikëlluar.” – Kështu, Zoti bëri të mundur kthimin e Musait në prehrin e së ëmës.
– “Ti e pate vrarë një njeri dhe Ne të shpëtuam nga trishtimi …” – Ndër momentet e kujdesit për Musain gjatë jetës së tij në Misir, Allahu përmend edhe vrasjen e Kibtiut. Allahu i Madhëruar tregon në ajete të tjera se: “Musai hyri në qytet pa u vënë re prej banorëve të tij. Atje ndeshi dy veta, që po përlesheshin me njëri-tjetrin. Njëri ishte prej popullit të tij (izraelit), ndërsa tjetri ishte prej armiqve.
Kur izraeliti i kërkoi ndihmë kundër armikut të tij, Musai e shtyu atë me forcë atë, dhe ai vdiq. Ai (Musai) tha: “Kjo ishte vepër e shejtanit. Nuk ka dyshim se ai është armik i betuar që të çon në humbje.”. [Kasas 15]. Pas kësaj ngjarjeje aksidentale, Musai iu lut Allahut dhe Ai e fali. Megjithatë, Musai iku me të shpejtë në arrati kur dëgjoi se paria e vendit po e kërkonin për ta vrarë. Kështu, Allahu e shpëtoi nga dëshpërimi i vrasjes që kreu dhe nga dënimi që e priste.
– “… dhe të sprovuan me sprova të mëdha.” – Ne të sprovuam dhe të gjetëm të qëndrueshëm. Ose: Ne të ndihmuam gjatë gjithë jetës, derisa arrite në këtë gjendje.
– “Ti qëndrove me vite ndër banorët e Medjenit, …” – Një nga fazat e jetës së Musait ishte edhe qëndrimi në Medjen, ku gjeti strehim pasi ishte arratisur nga Misiri për t’i shpëtuar Faraonit dhe pasuesve të tij. Kur mbërriti në Medjen, u martua dhe qëndroi atje 8 ose 10 vjet.
– “… e pastaj erdhe, o Musa, siç u urdhërove, në kohën e caktuar.”. – Erdhe pikërisht sipas kaderit të Zotit. Zoti e dinte dhe ishte Ai që deshi që ti të vije në këtë moment dhe në këtë vend. Ardhja jote nuk ishte rastësore dhe pa shkak, por ishte tërësisht me përkujdesjen dhe dijeninë Tonë. Kjo tregon se sa e madhe ishte përkujdesja e Zotit për Musain, i cili u quajt edhe “Kelimullah” Ai të cilit i foli Zoti.