Select Page

– “Ata që ju adhuroni përveç Allahut, nuk janë gjë tjetër, veçse emra, që i keni vënë vetë ju dhe paraardhësit tuaj, sepse Allahu nuk ka sjellë asnjë fakt për ta.”  Ata janë disa sende, të cilëve ju u keni vënë emra dhe i keni quajtur zot, ndërkohë që ata janë hiçgjë dhe nuk kanë asnjë cilësi madhështore të Allahut të Lartësuar.

Për adhurimin e tyre nuk ka zbritur asnjë argument nga Allahu i Lartësuar: “Allahu nuk ka sjellë asnjë fakt për ta” Madje, përkundrazi, Allahu i Madhëruar  ka zbritur argumente që ndalojnë adhurimin e tyre dhe që bëjnë të qartë kotësinë e këtij adhurimi. Duke qenë se Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur argumente për të treguar se ata duhet të adhurohen, atëherë nuk ka asnjë lloj mënyre tjetër për të argumentuar saktësinë e adhurimit që u kushtohet atyre.

– “I gjithë sundimi (dhe Ligji) është vetëm në dorë të Allahut.” – Gjykimi i përket veçse Allahut të Madhëruar,  që është i Vetëm dhe i Pashoq. Vetëm Ai zbret ligjet e jetës dhe të adhurimit. Veç Allahu i Lartësuar është Ai që urdhëron dhe ndalon. Allahu i Lartësuar gjithmonë ju ka urdhëruar që:

– “Ai ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd (dhe asgjë) tjetër veç Tij.” – Kjo është feja e drejtë, që të çon drejt suksesit. Çdo rrugë tjetër është e shpikur nga njerëzit dhe të çon drejt dështimit dhe drejt zemërimit të Allahut të Madhëruar .

– “Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” – Ata nuk e njohin realitetin e gjërave. Çështjet që ka shtjelluar Allahu i Madhëruar  janë aq të qarta, saqë nuk lënë asnjë dyshim, por shumica e njerëzve nuk i dinë dhe nuk duan që t’i mësojnë këto çështje. Ndryshimi mes teuhidit dhe shirkut është lehtësisht i kuptueshëm, por ata thjesht nuk duan të kuptojnë. Duke qenë se ata nuk duan që të kthehen tek Allahu i Madhëruar, atëherë patjetër do të bien në shirk dhe do të adhurojnë zota të tjerë të rremë.

Kështu, Jusufi (a.s) i ftoi dy shokët e tij të burgut që të adhuronin Allahun e Lartësuar duke e njësuar dhe duke ia kushtuar me sinqeritet të gjitha adhurimet vetëm Atij. Ka mundësi që ata ta kenë pranuar këtë ftesë dhe të jenë udhëzuar, duke e marrë të plotë mirësinë e Allahu ndaj tyre. Por ka mundësi që të kenë refuzuar dhe të kenë vazhduar në idhujtarinë e tyre, dhe në këtë mënyrë ata nuk do të kenë asnjë justifikim para Zotit të Madhëruar. Pas kësaj ftese kaq të bukur dhe të qartë, Jusufi vijoi me shpjegimin e ëndrrave, për të cilat ata e kishin pyetur: