– “Ata që i shtrembërojnë ajetet Tona, nuk munden kurrë të na fshihen.” – Këtu flitet për shtrembërimin e të vërtetës së ajeteve të Allahut, me çfarëdolloj mënyre qoftë ajo. Mënyrat e shtrembërimit të së vërtetës që sjellin ajetet e Zotit janë të shumta, si për shembull:
– mohimi dhe refuzimi i plotë i ajeteve;
– mohimi i përcjellësve të këtyre ajeteve ose konsiderimi i tyre si gënjeshtarë;
– tjetërsimi i ajeteve, ndryshe nga ç’janë në realitet;
– shpjegimi i tyre me kuptime që Zoti kurrë nuk ka dashur apo synuar prej tyre. Të gjithë ata që cenojnë ajetet e Tij në këto mënyra, Allahu i Madhëruar i kërcënon duke u kujtuar se ata nuk mund t’i fshihen kurrë Atij. Ai është Mbikëqyrësi i përhershëm i tyre, i cili u di dhe u sheh të jashtmen dhe të brendshmen. Le ta dinë ata se Ai do t’i shpagojë me drejtësi, për cenimin e ajeteve të Tij dhe për çdo gjë tjetër që kanë bërë.
– “Si mendoni, a është më i mirë ai që hidhet në Zjarr, apo ai që në Ditën e Gjykimit vjen i sigurt?” – A janë njëlloj ata që do të hidhen në Zjarr – siç janë cenuesit e ajeteve të Zotit – me ata që në Ditën e Gjykimit do të vijnë të sigurt nga ndëshkimi i Zotit, duke merituar shpërblimin dhe begatitë e Tij? Sigurisht që dihet se cila është përgjigjja. Më tej, Allahu i Madhëruar i paralajmëron robërit duke u thënë:
– “Veproni si të dëshironi,” – Bëni si të dëshironi: ose ndiqni rrugën e drejtë, e cila ju çon në kënaqësinë e Allahut dhe te Xheneti i Tij, ose ndiqni rrugën e mashtrimit, që ju çon në zemërimin e Allahut dhe në ndëshkim. Por gjithmonë kujtoni një të vërtetë të përhershme:
– “… por ta dini se Ai shikon gjithçka që ju bëni.”– Allahu shikon dhe di gjithçka që ju veproni dhe synoni, dhe për këtë do t’ju shpërblejë me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij, secilin sipas veprave të veta. Pastaj i Lartësuari thotë: