Select Page

Ky është një mohim e qortim i fortë kundër atyre që shpifën se Allahu ka zgjedhur që disa prej krijesave të Tij të jenë bija të Tij. Ai u drejtohet këtyre trilluesve e mashtruesve, duke u thënë:

– “A mos ju dalloi Zoti juaj me djem e për vete zgjodhi melekë që ju i mendoni femra?” Mos, vallë, ju dalloi ju, duke ju dhënë fëmijë meshkuj, që janë më të preferuar për ju, dhe për vete zgjodhi më pak të preferuarët, duke i bërë melekët femra?! Kështu pretendonin dhe shpifnin të paditurit, që melekët ishin femra dhe bija të Zotit. Por i Madhëruari ua hedh poshtë këtë, duke thënë:

– “Ju jeni duke thënë fjalë (trillime), vërtet të mëdha.” – Me këto shpifje të shëmtuara, së pari, ju morët guximin të pretendonit se Zoti ka fëmijë, që do të thotë se ka nevojë për fëmijë edhe pse disa prej jush e quajnë mangësi pasjen e fëmijëve (siç bëjnë murgjit). Së dyti, pretenduat se Atij i takon lloji më pak i preferuar i fëmijëve, pra, femrat, ndërkohë që është Ai që ju ka bërë mirësi kur ju dhuron fëmijë meshkuj e femra. I Lartësuar qoftë Allahu nga shpifjet e trilluesve!