Select Page

– “Jepuni grave mehrin e tyre në shenjë bindjeje ndaj Zotit!” – Pra, jo vetëm që t’u jepni mehrin, gjë që e keni të detyrueshme, por edhe që dhënia të bëhet me kënaqësi dhe dashamirësi nga ana juaj. Jepeni atë në shenjë bindjeje ndaj Zotit tuaj, me qetësi, dashuri dhe kënaqësi. Kurrsesi mos ua vononi mehrin, kur jeni në gjendje ta përmbushni këtë detyrim dhe as mos ua cungoni atë, por jepuani të plotë dhe me kënaqësi, dëshirë dhe dashamirësi. Nga ky ajet kuptojmë se mehri i jepet gruas, e cila bëhet pronarja e kësaj pasurie që në momentin e lidhjes së aktit martesor, sepse Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar “mehrin e tyre”.

– “Në qoftë se ato, me dëshirën e tyre, ju falin diçka nga ai (mehri), atëherë përdoreni atë, sepse tashmë, ai është hallall dhe i mirë për ju.” – Kuptimi: Nëse ato ju lejojnë me kënaqësi dhe dashamirësi që të merrni diçka prej hakut të tyre, atëherë kjo është e lejueshme dhe e mirë për ju. Po kështu, edhe nëse ju lejojnë që ta vononi përmbushjen e detyrimit tuaj jashtë afatit të përcaktuar në aktin e martesës, apo ju lejojnë që, në vend të mehrit të përcaktuar, të jepni diçka tjetër zëvendësuese, e të tjera si këto, atëherë të gjitha janë të lejueshme.

Nuk ka gjynah për ju që të përfitoni nga të tilla lëshime me dashamirësi, që i bëni njëri-tjetrit. Nga ky ajet kuptojmë se gruaja ka të drejtë të japë sadaka apo të bëjë vepra bamirësie me pasurinë e saj, nëse është e përgjegjshme ligjërisht, por me kusht që edhe të jetë e aftë për të administruar mirë pasurinë e saj. Nëse nuk i përmbush këto kushte, çdo akt i saj në këtë drejtim është i pavlefshëm. Gjithashtu, ne mësojmë nga ajeti se kujdestari ligjor i gruas nuk ka të drejtë mbi këtë pasuri të sajën, përveç nëse e lejon ajo vetë.Allahu i Lartësuar thotë:  ma tâbe lekum minen-nisâ / me gra të mira që ju pëlqejnë. Pra, ato që janë të mira për ju, jo të këqijat.

Pra, martesa me gra të mira, të ndershme e të dëlira është e urdhëruar, ndërsa martesa me gra që nuk e kanë cilësinë “të mira” nuk është e urdhëruar, siç janë, për shembull, idhujtaret, imoralet etj., sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë! Një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë, derisa ata të bëhen besimtarë. Një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata (jobesimtarët) ju ftojnë për në Zjarr, ndërsa Allahu, me mëshirën e Vet, ju fton në Xhenet dhe në faljen e gjynaheve tuaja. Ai ua sqaron njerëzve argumentet e Veta, që ata të kujtojnë.” [Bekare 221]. 

Ose: “Laviri nuk mund të martohet veçse me një lavire ose idhujtare. Dhe me laviren nuk mund të martohet kush, veçse një lavir ose idhujtar. Ajo (imoraliteti ose martesa me ta) është e ndaluar për besimtarët.” [Nur 3]. Ose: “Gratë e këqija janë për burra të këqij dhe burrat e këqij janë për gratë e këqija, ndërsa të ndershmet janë për të ndershmit dhe të ndershmit janë për të ndershmet. Këta janë të pastër nga shpifjet që thuhen për ta. Për ta ka falje dhe shpërblim të begatshëm.” [Nur 26].