Select Page

Faraoni mbahej me të madh në tokë. Ai e ndau popullin në grupe. Njërin grup e shtypte:  djemtë ua vriste, kurse vajzat ua linte gjallë. Ai qe shkatërrues i madh.I tillë ishte ky tiran në mbretërimin e tij. Ai ndihej i pamposhtur mes ushtrisë dhe në pushtetin e tij, prandaj u bë arrogant, e jo i nderuar.

Ai e ndau popullin në grupe.Ai e ndau në grupe dhe me secilin vepronte siç i donte qejfi. Ai ushtronte pushtetin mbi ta autoritetin dhe tiraninë e tij. Kështu:

Njërin grup e shtypte …Kjo pjesë ishin bijtë e Izraelit, që Allahu i kishte dalluar mbi të gjithë, e të cilët ai duhet t’i nderonte e  respektonte. Përkundrazi, ai i dobësoi si popull dhe e uli shumë pozitën e tyre në shoqëri.

Ai u tregoi se nuk kishte asnjë vlerësim për shërbimin dhe pozitën e tyre, prandaj asgjë nuk e ndalonte të bënte çfarë të donte me ta (ndryshe nga koha kur Jusufi shërbente në shtëpinë e Faraonit në Egjipt). Kështu, ai as nuk interesohej për gjendjen e tyre dhe as nuk pyeste për të drejtën e tyre, madje duke parë rrezikshmërinë e tyre, ai bëri një vepër të tmerrshme kundër kësaj popullsie.

… djemtë ua vriste, kurse vajzat ua linte gjallë.Këtë e bëri nga frika se ata do të shumoheshin e do të fuqizoheshin. Ai kishte frikë se mos ata i merrnin pushtetin.

Ai qe shkatërrues i madh.Ai nuk kishte asnjë synim përmirësimi e rregullimi, as për çështjet e besimit e fesë dhe as për çështjet e dynjasë. Ky ishte shkatërrimi i tij.