Select Page

Është e shkruar se kushdo që i nënshtrohet atij (shejtanit), ai ka për ta çuar në humbje dhe në Dënimin e zjarrit (të ndezur fort). – Allahu i Madhëruar e ka përcaktuar që ky shejtan i rebeluar të ketë mundësi të devijojë këdo që e dëgjon dhe ndjek hapat e tij. Ai ka mundësi që t’i largojë nga rruga e drejtë ata që i binden, ata që e bëjnë mik dhe që ia besojnë atij punët e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “…ai ka për ta çuar në humbje dhe në vuajtjen e zjarrit të madh.”

Sepse ai është mbështetësi dhe partneri i bindur i Iblisit të mallkuar. Allahu i Madhëruar ka thënë për Iblisin: “Shejtani është armiku juaj, prandaj edhe ju konsiderojeni si armik! Ai i thërret pasuesit e vet, për t’i bërë banorë të Xhehenemit.” [Fatir 6]. Ata që polemizojnë kundër të vërtetës nëpërmjet kotësive bëjnë njëherazi dy të liga. Ata humbin veten e tyre dhe kanë marrë përsipër të humbin edhe njerëzit e tjerë. Ata janë ndjekësit besnikë të shejtanit rebel. Këta të mjerë janë zhytur në errësira të thella e të shumta njëra mbi tjetrën. Kështu janë të gjitha grupacionet e kufrit dhe të bidateve. Ata janë pasues të verbër të të parëve të tyre dhe polemizojnë kundër të vërtetës me kotësi dhe me mashtrime.