Select Page

– “Është Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën vetëm për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Arsh.” – Dita e parë e krijimit ishte dita e dielë dhe përfundimi i krijimit ishte në ditën e xhuma. Pastaj i Lartësuari u ngrit mbi Fronin e Tij, ashtu si i shkon madhështisë së Tij, sipër të gjitha krijesave.

– “Ai di gjithçka që futet në Tokë dhe gjithçka që del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngrihet në të.” – Allahu e di për ato që hyjnë në tokë, si farërat, shiu etj. Ai e di edhe për ato që dalin nga toka, si bimët, pemët, kafshët etj. Ai di gjithçka që zbret nga qielli, si melekët, kaderi, rizku i Tij etj. Ai i di edhe ata që ngjiten në qiell, si melekët, shpirtrat, lutjet, veprat e robërve  etj.

– “Ai është me ju kudo që të jeni.” – Kjo i përngjan ajetit tjetër: “Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti; e as mes pesë vetave, që Ai të mos jetë i gjashti, e as mes më pak dhe as mes më shumë vetave, që Ai të mos jetë me ta, kudo që të jenë.” [Muxhadele]. Kjo është afërsi me diturinë dhe mbikëqyrjen e Tij. Prandaj edhe më pas, Allahu kërcënon dhe përgëzon robërit e Tij se do t’i shpërblejë sipas veprave të kryera, të cilat Ai i di dhe i ka mbikëqyrur imtësisht:

“Allahu shikon gjithçka që bëni ju.” – Allahu sheh të gjitha veprat tuaja dhe do t’ju shpërblejë sipas tyre. Ai i ka ruajtur ato vepra me imtësi dhe korrektësi.