– ”Allahu nuk ka bërë dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu dhe as nuk jua lejoi që gratë tuaja, – prej të cilave largoheni me dhihar – , t’i konsideroni si nënat tuaja.” – Allahu i Lartësuar i qorton dhe këshillon besimtarët që të mos flasin dhe të pohojnë gjëra të pavërteta, ashtu siç gënjejnë njerëzit e padrejtë e të paditur. Këto fjalë janë mashtrime e shpifje, të cilat sjellin gjëra të ndaluara nga Sheriati i Zotit. Këtu kemi të bëjmë me një rregull të përgjithshëm në Sheriatin e Zotit, në lidhje me atë çfarë flasim ose për lajmet që përcjellim rreth gjërave që ndodhin. Allahu i Madhëruar i veçoi këto çështje, sepse ato ndodhin shpesh dhe njerëzit kanë nevojë shumë të madhe që të dinë dispozitat rreth tyre.
Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ka bërë dy zemra në gjoksin e asnjë njeriu…” Kjo është diçka që kurrë nuk mund të ndodhë, prandaj kurrë të mos thoni për dikë që ka dy zemra brenda tij, dhe kështu të gënjeni rreth krijesës së Zotit. Pastaj thotë: “…dhe as nuk jua lejoi që gratë tuaja, – prej të cilave largoheni me dhihar, – ti konsideroni si nënat tuaja”. Domethënë, të konsiderosh gruan si në vend të nënës, duke i thënë: “… të kam si nënën time”. Allahu i Madhëruar nuk i ka bërë gratë si nënat.
Nëna jote është ajo që të ka lindur dhe që gëzon statusin e gruas më të lartë që meriton respektin dhe bamirësinë tënde. Martesa me të është haram për ty, ndërsa gruaja është hallall. Atëherë, si mund të vesh shenjën e barazimit mes dy gjërave të kundërta? Kjo është diçka që nuk lejohet, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ata të cilët u largohen bashkëshorteve, duke u thënë se iu duken si nënat e veta, le ta dinë se ato nuk janë nënat e tyre. Nënat e tyre janë ato që i kanë lindur. Në fakt, ata thonë fjalë të urryera dhe të pavërteta. Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mbulues i gjynaheve.” [Muxhadile 2].
– ”Dhe as nuk ju lejon që djemtë tuaj të adoptuar të kenë përkatësinë tuaj (atërore).” – Fëmijët e birësuar nuk janë fëmijët tuaj biologjikë, por quhen thjesht të birësuarit tuaj. Para Islamit dhe në fillimet e tij, i birësuari merrte atësinë e birësuesit. Allahu i Madhëruar e ndryshoi këtë zakon. Fillimisht, Ai tregoi se kjo është diçka jo e mirë, madje e shëmtuar, sepse, në fakt, është mashtrim e shpifje, dhe çdo mashtrim dhe shpifje nuk ka vend në Sheriatin e Zotit dhe besimtarët nuk e kanë atë cilësi. Kështu, Allahu i Lartësuar na e qartëson se bijtë tanë të vërtetë nuk janë ata që i kemi birësuar, por ata që janë lindur prej nesh. Ndërsa këta që janë lindur prej tjetër kujt, mund t’i quajmë ‘i adoptuar’. Nëse ju thoni për të birësuarin se ai është biri i filanit (adoptuesit), ose ky është babai i filanit, kjo është e gabuar. Allahu i lartësuar thotë:
– ”Këto janë vetëm fjalë që ju i shqiptoni me gojët tuaja …” – Janë fjalë jo të vërteta dhe të padrejta.
– ”dhe është Allahu Ai që thotë të vërtetën, dhe është Ai që udhëzon (atë që do) në rrugën e drejtë.” – Ai thotë veçse të vërtetën dhe atë që është e sigurt, prandaj dhe ju udhëzon që të pasoni udhëzimet e Tij. Fjalët dhe ligji i Allahut janë të vërteta, ndërsa fjalët dhe veprat e kota nuk mund t’i atribuohen Atij dhe nuk mund të jenë prej udhëzimit të Tij. Ai udhëzon veçse në rrugën e drejtë dhe në vërtetësi. Por edhe fjalët e robërve ndodhin me lejen e Tij, qofshin të mira apo të këqija. Pastaj i Madhëruari na mëson si të veprojmë. Ai thotë: