Select Page

“Nga Shenjat e Tij është edhe toka, që ti e sheh të thatë e të shkretë e, kur Ne i lëshojmë asaj shiun, ajo gjallërohet e (prodhimi) shtohet.” – Prej shenjave madhështore që dëshmojnë për pushtetin dhe mbretërinë e plotë të Allahut dhe për faktin se Ai është i Vetëm në sundimin dhe administrimin e çështjeve të krijesave, është edhe toka e tharë dhe e pajetë, e cila, kur Allahu i Lartësuar zbret shiun nga qielli, ajo ringjallet, merr jetë dhe fillon të gëlojë. Prej saj lulëzon bimësi e madhe, si furnizim për njerëzit dhe kafshët. Kështu zbret jeta nga qielli dhe përhapet begatia dhe gëzimi.

  “Nuk ka dyshim se Ai që e gjallëron atë, do t’i ngjallë të vdekurit, …” – Kuptimi: Është po ky Krijues Madhështor, që kujdeset për ju dhe që risjell jetën në tokën e vdekur, Ai i Cili do t’i ringjallë të vdekurit e do t’i nxjerrë nga varret e tyre Ditën e Ringjalljes.

– “sepse Ai është i Plotpushtetshëm për çdo gjë.” – Pra, ashtu sikurse është i Plotpushtetshëm për të ringjallur tokën pas vdekjes së saj, po ashtu Allahu është i Plotpushtetshëm që të ringjallë të vdekurit nga varret e tyre.