– “Këto (ajete) janë nga urtësia, që Zoti yt ta shpalli ty.” – Të gjitha këto ligje dhe dispozita të mrekullueshme që të sqaruam janë pjesë e Shpalljes dhe urtësive që Zoti të zbriti. Urtësi janë të gjithë urdhrat për vepra të mira dhe moral të lartë, si dhe ndalesat nga punët e këqija dhe morali i ulët. Ato iu shpallën më të mirit dhe zotërisë së të gjithë profetëve, në më të mirin dhe më të zgjedhurin e librave, për të qenë udhëzim për më të mirin e popujve.
Ato janë urtësia më e madhe që mund t’i dhurohet dikujt. Atij që i është dhuruar kjo urtësi i është dhënë mirësi e madhe. Në fund të këtyre urtësive, Zoti e mbyll me një ndalesë të fortë: me ndalimin e shirkut, ashtu sikurse nisi në fillim:
– “Mos adhuro veç Allahut ndonjë zot tjetër që pastaj të hidhesh në Xhehenem si fajtor dhe i dëbuar.” – Do të futesh në Zjarr, ku do të qëndrosh përjetësisht. Ai që i bën shok Zotit, e ka të ndaluar të futet në Xhenet, por do të jetë në Zjarr. Atje do të jetë “si fajtor dhe i dëbuar”, pra, i mbuluar nga mallkimi i Allahut, melekëve dhe i të gjithë njerëzimit.