Select Page

Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje (të luftojnë), për shkak se u është bërë padrejtësi. – Në fillim të Islamit, muslimanët e kishin të ndaluar të luftonin kundër jobesimtarëve, madje ishin urdhëruar të tregonin durim. Kështu ishin urdhëruar nga urtësia e Allahut. Më pas, kur emigruan në Medinë dhe krijuan një shtet të fortë, iu dha leje që të luftonin. Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi.” Nga kjo kuptohet se, më parë, ishin të ndaluar të luftonin dhe tashmë, atyre që luftoheshin, po u lejohej të kundërpërgjigjeshin me të njëjtën mënyrë. Allahu ua lejoi luftën besimtarëve vetëm sepse atyre po u bëhej padrejtësi, duke u penguar nga feja, duke u torturuar për shkak të besimit dhe duke u dëbuar prej shtëpive të tyre.128

Allahu ka fuqi për t’i ndihmuar ata (muslimanët). Ata, të cilët vetëm pse thanë “Allahu është Zoti ynë.” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. – Vetëm Atij le t’i kërkojnë ndihmë dhe Atij t’i mbështeten për arritjen e fitores. Allahu do t’i ndihmojë besimtarët: “…të cilët, vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë.” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa asnjë të drejtë.” Ata u detyruan të largohen nga shtëpitë dhe atdheu i tyre, për shkak të vuajtjeve e mundimeve që u shkaktoheshin padrejtësisht. I vetmi “krim” i tyre, për të cilin qafirët i urrenin dhe torturonin, ishte fakti se ata thoshin: “Zoti ynë është Allahu”. I vetmi shkak për të gjitha ato përndjekje e mundime ishte se ata njësonin Allahun e Madhëruar dhe adhuronin vetëm Atë me sinqeritet.

Nëse ky veprim mund të konsiderohet gjynah, atëherë ky ishte gjynahu i besimtarëve, sipas mohuesve dhe keqbërësve. Kjo ngjan me fjalën tjetër të Allahut të Madhëruar: “Mallkuar qofshin ata që hapën hendeqet me zjarr, të mbushur me lëndë djegëse! Ata rrinin ulur rreth tij dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët. Ata i keqtrajtonin (besimtarët), sepse ata besonin Allahun, Ngadhënjimtarin e të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Allahu është dëshmitar për çdo gjë!” [Buruxh 4 – 9]. Ky ajet tregon qartë urtësinë dhe qëllimin kryesor të ligjërimit të xhihadit.

Synimi i tij është që të mundësohet përhapja e fesë dhe besimit të pastër në Allahun e Madhëruar dhe frenimi i agresionit kundër besimtarëve. Kështu mund të ndalen provokimet e vazhdueshme të jobesimtarëve, të cilët janë gjithmonë parët që i nisin ato. U bë e ligjshme të luftohet kundër padrejtësisë dhe luftës së padrejtë të mohuesve, që gjithmonë ndezin konflikte. U ligjërua lufta, që njerëzve t’u mundësohet të adhurojnë Allahun hapur, duke shfaqur të gjitha shenjat e dukshme dhe simbolet e fesë së Tij, prandaj Allahu i Madhëruar thotë në vijim:

128 Dita e parë filloi me ditën e deklarimit të prishjes së paktit me ta, që ishte dita e dhjetë e Dhul Hixhes, dita e Haxhit të madh, në të cilin u shpallën këto dispozita. Ndërsa dita e fundit e afatizimit ishte dita e dhjetë e muajt Rabiul Ahir. Këta muaj nuk janë të njëjtë me ata që Allahu i Lartësuar i ka përmendur në ajetin 36 të sures Teube: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj! Megjithatë, luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet.”

Në këtë ajet flitet për tre muaj të njëpasnjëshëm: Rexhep, Dhul Kade, Dhul Hixhe dhe një të veçantë Muharrem. Muajt në të cilat u afatizuan idhujtarët nuk ishin këta, sepse këta nuk janë katër të njëpasnjëshëm, sikurse ishte edhe urdhri. Allahu i Lartësuar i afatizoi ata për katër muaj të tjerë rresht, pastaj urdhëroi që të luftoheshin. Profeti a.s. luftoi ata që thyen paktin, dhe i afatizoi katër muaj ata me të cilët nuk kishte pakt apo kishte pakt të hapur pa afat. Allahu i Lartësuar e urdhëroi atë që ta plotësojë paktin me ata që i qëndonin besnik marrëveshjes, deri në afatet e përcaktuara, por këta të fundit, pa mbaruar afati i paktit, të gjithë pranuan Islamin. Ndërsa jomuslimanët e siguruar brenda shtetit islam pranuan të paguajnë xhizjen.

Pas shpalljes të sures Teube, qafirët ishin në tri grupe: qafirë me të cilët ishte në marrëdhënie lufte; qafirë me të cilët ishte bërë marrëveshje armëpushimi dhe ehlu dhimme (shtetas jomuslimanë që pranonin pushtetin dhe autoritetin e shtetin islam, që paguanin xhizjen dhe që  u garantohej paprekshmëria e jetës dhe pasurisë nga shteti islam). Por pasi grupi i dytë pranuan Islamin, mbetën vetëm dy të tillë: qafirët me të cilët ishte në marrëdhënie lufte dhe paguesit ehlu dhimme. Por tashmë qafirët me të cilët kishte marrëdhënie armiqësore ishin të tmerruar prej tij. Kështu pra, përfundimisht banorët e tokës në raport me Pejgamberin a.s. u ndanë në tri kategori:

– Muslimanë që besonin Allahun dhe Profetin e Tij;

– jomuslimanë brenda shtetit islam që paguanin xhizjen dhe ishin të siguruar për jetën, pasurinë, nderin dhe fenë e tyre; 

– qafirë të tmerruar të cilët ishin në marrëdhënie lufte me Pejgamberin a.s.

Për sa i përket traditës së tij në sjelljen ndaj munafikëve, ai u urdhërua që të pranojë atë që shfaqej prej tyre haptazi, ndërsa atë që fshihej në zemrat e tyre t’ia linte gjykimit të Allahut të Madhëruar. Ai u urdhërua që kunder tyre të luftojë me dije dhe me argumentim të qartë. Shpesh herë i duhej t’u kthente shpinën dhe të distancohej prej tyre. U urdhërua gjthashtu që të tregohej i ashpër me ta dhe t’u fliste me fjalë të forta dhe ndikuese për shpirtrat e tyre. Allahu i Lartësuar e ndaloi që t’ua falte namazin e xhenazes kujt vdiste prej tyre dhe e ndaloi që të qëndronte në varrezat e tyre për t’u lutur. Allahu i Lartësuar e njoftoi atë se edhe nëse kërkonte falje për ta Ai nuk do t’ua falte atyre. Kjo ishte tradita e tij në raportet me qafirët dhe munafikët. 

Sjellja Profetit a.s. me miqtë, të dashurit dhe me pasuesit e tij. Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin a.s. që ta kufizonte veten, madje të bënte durim dhe të shoqërohej vetëm me ata që e përkujtonin Allahun, Zotin e tyre, mëngjes e mbrëmje, duke kërkuar kënaqësinë e Tij. Madje Ai e urdhëroi që në asnjë moment të mos e largonte vëmendjen prej tyre e t’u hidhte sytë njerëzve që kërkonin kënaqësinë e kësaj bote. Allahu i Lartësuar e urdhëroi që t’i falte ata dhe të kërkonte falje për ta. Ai e urdhëroi që të këshillohej me ta para marrjes së vendimeve; e urdhëroi që të lutej për ta.

Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin a.s. që të ndërpriste marrëdhëniet edhe me ata që i kundërshtonin urdhrat dhe nuk e ndiqnin në rrugën e tij, derisa ata të pendoheshin sinqerisht dhe t’i riktheheshin bindjes dhe pasimit të tij. Kështu veproi Profeti a.s. me ata që nuk e ndoqën Profetin a.s. në luftën e Tebukut. Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin a.s. që të zbatonte dhe të ekzekutonte rigorozisht dispozitat e ndëshkimeve të Sheriatit ndaj atyre që e meritonin. Përballë ligjit do të ishin të njëjtë: i fismi dhe jo i fismi. Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin a.s. që, për të larguar dhe për të shpëtuar prej të këqijave dhe shejtanëve njerëz, të përdorte stilin e kundërpërgjigjes me formën më të mirë. Atij që i bënte keq, t’ia kthente me bamirësi, atij që sillej ashpër me të për shkak të injoranca, t’i kundërpërgjigjej me durim e maturi; atij që i bënte padrejtësi, t’i përgjigjej me falje të padrejtësisë;