– “Unë ndjek fenë e etërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit.” – Pastaj, Jusufi u shpjegoi se cila ishte kjo fe, duke thënë:
– “Ne kurrë nuk i kemi bërë shok Allahut.” – Nuk mund të ndodhë kurrë që ne t’i bëjmë shirk Allahut të Madhëruar, por e njësojmë gjithmonë Atë, duke e adhuruar si një të vetëm, ashtu sikurse na ka mësuar dhe na ka udhëzuar vetë Ai përmes Shpalljes.
– “Kjo është prej mirësive të shumta të Allahut për ne dhe për njerëzimin në tërësi, …” – Kjo është prej mirësisë dhe mëshirës së Allahut, që na ka dalluar mbi të tjerët. Ata që Allahu i Madhëruar i ka udhëzuar në këtë fe janë të dalluar mbi të gjithë njerëzit e tjerë. Nuk ka mirësi më të madhe sesa mirësia e ‘Islamit’, pra, e dorëzimit tërësisht tek Allahu i Madhëruar, sipas fesë së pastër të Tij. Kush e pranon këtë fe dhe nënshtrohet për të jetuar sipas saj, është vërtet i zgjedhur dhe fatlum, sepse i është dhënë mirësia më e madhe nga Allahu i Madhëruar, me të cilën arrin lumturinë në dynja dhe ahiret.
– “… por shumica e njerëzve nuk tregojnë mirënjohje për këtë.” – Atyre u ofrohet mirësia, bujaria dhe mëshira e Allahut të Madhëruar, u ofrohet udhëzimi i Tij i mrekullueshëm dhe lumturues, e megjithatë, ata nuk e pranojnë, nuk e respektojnë dhe nuk e trajtojnë seriozisht, duke i dhënë hakun që i takon. Këto ajete janë një mësim i vyer për rrugën që duhet të ndjekim kur ftojmë njerëzit në fe. Jusufi vërejti se dy djemtë e burgut e respektonin dhe e vlerësonin si bamirës ndaj tyre.
Për këtë arsye, ai u mësoi se kjo vlerë që ata shihnin tek ai ishte thjesht një dhuratë prej Allahut të Lartësuar. Kjo mirësi – u shpjegoi Jusufi – ka disa faktorë. Fillimisht, ajo bazohet në lënien e idhujtarisë dhe pasimin e rrugës së profetëve pararendës të Allahut të Madhëruar. Kjo gjë më bëri që ju të më respektoni dhe më nderoni tani. Nëse edhe ju dëshironi që të respektoheni dhe të jeni bamirës, duhet që të ndiqni të njëjtën rrugë. Pastaj Jusufi i fton haptazi në besimin e pastër monoteist: