Select Page

– “Të gjitha kafshët në Tokë dhe të gjithë shpendët, që fluturojnë me dy krahë, të gjithë janë të ndarë në bashkësi, ashtu sikurse edhe ju.” – Të gjitha gjallesat e tokës, ajrit dhe ujit, si bagëtitë, egërsirat, zogjtë etj., të gjitha janë të ndara në bashkësi, ashtu sikurse ju. Allahu i krijoi ata, sikurse ju krijoi edhe ju. Është Ai që i furnizon ata, ashtu sikurse ju furnizon ju. Mbi ta zbatohet vullneti dhe dëshira e Zotit, ashtu sikurse zbatohet mbi ju.

– “Asgjë nuk kemi lënë pa përmendur në Libër.” – Kuptimi: Asgjë nuk kemi lënë pa përmendur në Leuhi Mahfudh. Çdo gjë, pa përjashtim, e madhe apo e vogël, është shënuar në Leuhi Mahfudh, ashtu sikurse ndodh në realitet. Ajeti tregon se shkrimi i parë në Leuhi Mahfudh përmban gjithçka që ekziston. Shkrimi është njëri nga katër nivelet, mbi të cilat ndërtohet kada-ja dhe kader-i:

1. Dituria e Allahut mbi gjithçka.

2. Shkrimi i Tij, që përfshin gjithçka që ekziston.

3. Dëshira dhe vullneti i Allahut, që ekzekutohet mbi gjithçka.

4. Krijimi i Tij i të gjitha krijesave, madje edhe i vetë veprave të robërve .

Por ka shumë mundësi që me fjalën “Libër” në ajet të jetë për qëllim Kur’ani. Në këtë rast, kuptimi do të ishte i ngjashëm me thënien e Allahut të Lartësuar: “Ne ta shpallëm ty Librin si sqarim për çdo gjë, si udhëzim e mëshirë dhe si përgëzim për myslimanët.” [Nahl 89].

– “Në fund, te Zoti i tyre do të tubohen të gjithë.” – Të gjithë popujt do të dalin para Zotit në Ditën e Gjykimit, në një tubim aq të madh e të frikshëm. Ai do t’i shpërblejë të gjithë me drejtësinë e bamirësinë e Tij. Allahu do të japë gjykimin e Tij, për të cilin do ta lavdërojnë të parët dhe të fundit, banorët e Tokës dhe të qiellit.