– “Ne edhe para teje dërguam profetë, të cilëve u mundësuam të kenë gra e fëmijë.“ –Ti nuk je i pari i dërguar ndër njerëz, që ata të habiten se Zoti të dërgoi ty si profet. Armiqtë e tu nuk kanë pse ta shohin si mangësi faktin që ti ke gra dhe fëmijë. Kjo habi e tyre është e pakuptimtë dhe pa vend, sepse ata e dinë shumë mirë se edhe profetët para teje kanë qenë të tillë.
Atëherë kuptohet se ata kanë qëllime të këqija, duke dashur të justifikojnë ndjekjen e dëshirave të tyre dhe mosnënshtrimin ndaj ligjit të Zotit. Pikërisht për këtë arsye, ata kërkojnë prej teje shenja dhe mrekulli, duke pretenduar se nëse ua shfaq, atëherë do të besojnë. Por ti nuk ke asgjë në dorë, sepse gjithçka është në dorë të Allahut të Lartësuar.
– “Asnjë i dërguar nuk solli argument, përveçse me lejen e Allahut.“ – Allahu i Lartësuar është Ai që lejon mrekullitë, në kohën kur Ai dëshiron dhe e ka përcaktuar që të ndodhin:
– “Çdo kohë ka Librin e vet (ku përcaktohet caku i saj).“ – Një çështje që Zoti ka përcaktuar as nuk përshpejtohet dhe as nuk vonohet. Kështu, kërkesa e mohuesve për të përshpejtuar ndëshkimin ose për sjelljen e mrekullive nuk ndikon tek Allahu, që Ai të ndryshojë diçka të cilën e ka shkruar, edhe pse Allahu i Lartësuar vepron çfarë të dojë. Askush nuk mund të ndryshojë atë që Zoti dëshiron.