– “(Ata luten) që Allahu t’i shpërblejë më së miri për veprat e tyre …“ – Këtu bëhet fjalë për veprat e mira, pra, për adhurimet që të afrojnë me Zotin dhe e kënaqin Atë. Njeriu bën edhe gjëra të lejuara, siç janë premtimet e ndryshme në këtë botë, por ai do të shpërblehet veçse për ato që janë të mira, dhe të tilla janë ato që i janë dedikuar vetëm Zotit, për ta kënaqur Atë, dhe që janë kryer sipas porosive të Tij, sikurse thotë Zoti: “Allahu do t’ua falë më të keqen e atyre (gjynaheve) që bënë dhe do t’u japë shpërblimet më të mira për ato (vepra të mira) që bënë.” [Zumer 35].
– “… dhe për t’ua shtuar të mirat prej (bujarisë së) Tij.“ – Allahu do t’ua shtojë më shumë shpërblimin, në krahasim me atë që kanë bërë.
– “Allahu i dhuron pa masë atij që do.“ – Ai i jep më shumë shpërblim sesa njeriu mund të arrijë përmes veprave të tij, madje shumë herë më tepër nga sa mund ta imagjinojë. Allahu i jep shpërblim pa masë, pra, ky është tregues se do të jetë më i madh sesa mendohet.